NGA ALKESANDËR ÇIPA/Përvoja shqiptare në bashkëpunimin me Kinën për restaurimet e objekteve më të vyera të trashëgimisë kulturore është e pasur, por jo plotësisht e mjaftueshme. Në kohë të ndryshme është dashur që disa prej artefakteve kulturore dhe memorialistike shqiptare të vihen në kujdes restaurues apo në përshtatje me teknologjitë e ruajtjes dhe mbrojtjes.
Vlera unike të trashëgimisë shqiptare janë prej dekadash e shekujsh në mëshirë të veprimit të faktorëve ambientalë dhe kushteve të amortizimit fizik dhe efekteve natyrore. Për këtë arsye, në praktikat administrative të institucioneve tona kryesore si Ministria e Kulturës, Muzeu Historik Kombëtar, Arkivi Qendror i Shtetit, Galeria Kombëtare si dhe muzetë e tjerë të kategorisë kombëtare, por jo vetëm, rëndom ndeshen letërkëmbime dhe dokumenta zyrtare për shqetësime, alarme dhe nevoja ndërhyrëse.
Ka disa dekada që Muzeu kombëtar Onufri në Berat, përmes zërit të ekspertëve, shprehet për nevoja të ndryshme restaurimi të objekteve unike, kryeveprave të shkollës onufriane të ikonografisë dhe pikturave murale. Pak kohë më parë, një ndër të “fundit e Mohikanëve”, Frederik Stamati, përmes një laboratori modest të improvizuar enkas në mjediset e Institutit Etnografik ia doli që pas një pune mbi katër mujore të restauronte në kuadër të 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës flamurin që u shpalos në ditët e Kongresit. Mjeshtri shqiptar i restaurimeve, zoti Stamati, flet për rreth 13 flamuj të vlerës unike historike dhe kalendarike të cilat janë restauruar prej tij.
Mirëpo shumica e ekspertëve dhe restauratorëve shqiptarë kur flasin për nevojat e ndërhyrjeve më të specializuara restauruese ndaj artefakteve që i përkasin fondit të artë të trashëgimisë sonë kombëtare, rëndom shprehen se diplomacia jonë kulturore do të duhej të ishte më negociuese me vende dhe institucione ndërkombëtare të specializuara. Në këtë aspekt, një përmendje dhe vlerësim specifik marrin padyshim dhe institucionet dhe agjensitë e specializuara të Republikës së Kinës.
Një ndër aktet dhe proceset më të vlerësuara restauruese në shkëmbimin shqiptaro-kinez është dorëshkrimi i lashtë i Kodikut të Beratit, i njohur me emrin shkencor Codex Purpureus Beratinus. Historia e këtij dorëshkrimi unik është e njohur ndërkombëtarisht dhe tejkalon lexuesit dhe vëzhguesit shqiptarë. Kodiku i Beratit është një dorëshkrim prej 400 faqesh pergamene dhe përmban dy ungjij të Testamentit të Ri. Sipas tipit të shkrimit, i atribuohet fillimit të shekullit VI të erës sonë. Teksti i tij u botua në vitin 1886.
Në institucionet tona, jo vetëm arkivore, tashmë ndodhet një dokumentacion i plotë rreth historikut mbi zbulimin e kodeve të shekujve VI dhe IX dhe restaurimin e tyre në Republikën Popullore të Kinës. Madje, në vitin 1972, dy punonjës të Arkivës Qendrore të Shtetit, Reshat Alia dhe Sanie Mara, punuan një historik të akteve dhe proceseve restauruese si kontribut të shkëlqyer të ardhur nga institucionet dhe qeveria kineze.
Por a ka hapësira dhe mundësi për shkëmbime dhe bashkëpunime të tjera të tilla mes dy vendeve? Në Shqipëri, rreziku i zhdukjes së shumë artefakteve unike për shkak të kohëvonesave restauruese dhe mungesës së teknologjive ruajtëse e mbrojtëse është jo vetëm i madh, por edhe me efekte katastrofike. Rritja e interesimit, pasurimi i shkëmbimeve dhe, sidomos, ndërtimi i një marrëdhënieje më aktive bashkëpunimi do të bënte të mundur që ato jo vetëm të ruhen dhe të mbrohen shumë më cilësisht, por edhe të shpëtohen ato të cilat janë në rrezik ekzistencial.
Kina është një fuqi e madhe dhe potenciale kulturore në botë. Politikat kulturore të shtetit kinez dhe nismat mbështetëse në këtë fushë mishërohen në fakt edhe në programin dhe planifikimin për ta kthyer Kinën në një kryeqendër muzeumesh deri në 2035. Pra, është një objekt i institucionalizuar për fushën dhe rrjetet muzeologjike dhe memorialistikën në përgjithësi. Nuk është e rastësishme që një dokument i Administratës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, para pak kohësh, bënte me dije për nxitjen e një reforme dhe zhvillimi të muzeve.
Në kuadër të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe memorialistikës, Shqipëria mund të përftonte nga partneriteti me Kinën, veçanërisht nisur nga fenomenet e rritjes së aftësisë specializuese me ekspertë të rinj në fushën e mbrojtjes së relikeve kulturore, shpeshtimit të kërkimeve, si dhe të përfitimit prej industrisë dhe teknologjisë në këtë fushë. Një shkëmbim i tillë mes një superfuqie dhe një vendi të vogël, për interesat e trashëgimisë dhe mbrojtjes së artefakteve dëshmuese të kulturës dhe identitetit, merr peshë dhe vlerë të dorës së parë.
Nga Aleksandër Çipa