Mazhoranca shpalli dje kandidaturën për Presidentin e ri. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral-major Bajram Begaj pritet të votohet sot nga Parlamenti.
Teksa Begaj ka mbështetjen e socialistëve, LSI dhe PD kanë shfaqur qëndrimet kundër propozimit të socialistëve. Kryetari i PD-së Sali Berisha, në një reagim për propozimin e Bajram Begajt si President, e quajti “akt antikushtetues dhe precedent të rrezikshëm për vendin dhe demokracinë”.
Ndërsa i referohej Nenit 167 të Kushtetutës sipas së cilit “Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike”, Berisha doli me një thirrje për Ilir Metën.
Kryedemokrati i kërkoi Metës të mos e firmoste lirimin dhe të mbrojë Kushtetutën.
Por, mesa duket fjala e Berishës ‘ra në vesh të shurdhit’. Meta firmosi ‘live’ nga Stambolli lirimin e tij duke i hapur rrugë votimit të tij sot në Kuvend. Kjo mund të shihet si një ‘krisje’ mes Metës dhe Berishës, ndërsa deri dikur deklaratat për njëri-tjetrin kanë qenë miqësore.
Të dy kanë pohuar se kanë zhvilluar takime dhe biseda, edhe para zgjedhje vendore të 6 marsit, në të cilat ‘Rithemelimi’ i Berishës bëri aleancë me LSI-në duke i dhënë emrin koalicionin “Shtëpia e Lirisë”.
