Nëna e e minoritarit grek, që humbi jetën 3 vite më parë, Konstantinos Kacifas, Vasiliki Kacifas ka rrëfyer për mediat greke se është zhgënjyer nga drejtësia shqiptare e cila vendosi se ajo ishte një ‘vetëvrasje.’
Sipas saj, i biri humbi jetën për të ngritur flamurin grek dhe se nuk do të heqë dorë nga kërkimi i drejtësisë.
“Fëmija im humbi jetën sepse mbrojti të drejtën e tij për të ngritur flamurin grek në vend të tij. Unë dua që e vërteta të dalë nv dritë. Ata e vranë fëmijën tim sepse nuk mund të shpjegonin bindshëm pse e vranë atë. Lufta jonë vazhdon. Pasi ata nuk mund të zbulonin vrasjen e vërtetë të djalit tim e quajtën vetëvrasje pas 3 vitesh”.– tha ajo, raporton Prothema.
Nëna e Kacifas shton se e vërteta duhet të zbardhet dhe ata do ta çojnë çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Ne nuk morëm një përfundim në duart tona. Një letër erdhi nga Prokuroria që flet për “vetëvrasjen e fëmijës tonë”, me dy plumba në fytyrë. Në pamundësi për ta hetuar çështjen, ata e quajtën vetëvrasje pas tre vjetësh. Ajo që po ndodh është e papranueshme. E vërteta duhet të zbardhet dhe ne do të shkojmë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Nëse ai bëri vetëvrasje siç thonë ata para forcave RENEA, le ta publikojnë videon nga kamerat. Por ata nuk e bëjnë, sepse e vërteta është ndryshe. Fëmija im humbi jetën sepse mbrojti të drejtën e tij për të ngritur flamurin grek. Unë dua që e vërteta të dalë në dritë. Lufta jonë vazhdon”, – përfundon nëna e Konstandino Katsifas.