Kreu i Partise Republikane, Fatmir Mediu ,doli pasditen e sotme në një konferencë për mediat pas rihapjes së dosjes “Gërdeci”. Ish-ministri i Mbrojtjes në kohën që ndodhi shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve u shpreh se nuk është shkaktar i pasojave dhe se është hetuar dhe gjykuar njëherë për këtë çështje.
“Nuk ka asnjë nxitje, asnjë shtysë apo presion nga ministri për këtë proces. Të gjitha aktet kanë qenë pjesë e konsultimit të plotë. Nuk është prezantuar pranë ministrit asnjë shqetësim si zhvillohej demontimi. Kam dhënë dorëheqjen dy ditë pas ngjarjes duke e parë veten si përgjegjës moral dhe politik, por aspak i fajshëm si shkaktar i pasojave. Nuk i jam shmangur hetimit. Jam vendosur në dispozicion pa asnjë rezervë. Prokuroria e kohës bëri një hetim për mua dhe familjen tim si për asnjë politikan tjetër. Ajo që kërkon SPAK janë cështje të shqyrtuara në vitin 2014 dhe 2018 dhe dy rastet prokuroritë kanë refuzuar rihapjen e kësaj çështje” tha Mediu.
