Ish-ministri i Mbrojtjes në kohën e tragjedisë së Gërdecit, Fatmir Mediu ka reaguar në një konferencë për mediat pas kërkesës së SPAK për rigjykim për çështjen e Gërdecit.
Sipas Mediut, kërkesa për rigjykim nuk sjell asnjë dobi dhe se është përdorur dhimbja e familjarëve të tragjedisë së Gërdecit.
“Dua të them se janë akte juridike në kundërshtim të plotë me Kodin penal dhe se kërkesa për rigjykim nuk sjell asnjë dobi. Këto shkelje nuk kanë për qëllim drejtësinë. Propaganda manipulative dhe keqinterpretimi i fakteve kanë krijuar perceptimin se Ministri i Mbrojtjes është përgjegjës për atë ngjare. Nuk kam reaguar , por duket se i është krijuar terren çdo intriganti që të spekulojë. Janë fakte të pakundërshtueshme se nuk kam pasur asnjë lidhje direkte me ata që kanë zhvilluar demontimin në Gërdec. Nuk ka asnjë presion nga ana e ministrit. Të gjitha aktet kanë qenë pjesë e konsultimit të plotë me të gjitha nivelet. Pranë ministrit nuk është prezantuar asnjë shqetësim. Është përdorur dhimbja e familjarëve të Gërdecit për të më goditur mua”, ka deklaruar Mediu.