Rrëfimi i Kadaresë: Letërsia në komunizëm, gëzonim me lugë bosh

Shkrimtari i madh Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij po ashtu shkrimtare e njohur, Helena Kadare, kanë bërë një bashkëbisedim me të rinjtë të shtunën në Qerret. E gjithë vepra e letrare e Kadaresë u ripah nën lupën e të rinjve, që të çliruar nga kohët e analizat, pyetën mbi ndjesitë e tyre, duke e kthyer takimin në një bisedë të lirë. Takimi nis me një lajm mbi një ekranizim të jetës së tyre në një film francez.

“Më kanë kërkuar të drejtat e librit tim me kujtimet e jetës së përbashkët dhe do bëhet film, si bashkëpunim, shqiptar, francez e belg”, thotë Helena Kadare, ndërsa qesh kur thotë se ka parë dhe fotografinë e aktorit që interpretojë rolin e Ismail Kadaresë. Biseda nis me romanin “Pallati i ëndrrave”, ku ai u pyet mbi mundësinë që ka njeriu të arratiset bashkë me mendimet e tij, në rastet kur ushtrohet presion dhe kontroll? Për shkrimtarin, vepra u shkrua në kulmin e diktaturës dhe vetëm një i metë nuk e kuptonte se për çfarë flitej në të.

Vepra “Kronike në gur” nxori në pah qasjen e Kadaresë mbi Fëmijërinë dhe ndjesitë e tij të vegjëlisë që u ruajtën dhe u hodhën në fletë, kur në moshë të madhe, shkroi veprën duke ruajtur naivitetin e fëmijërisë. Kadare tha se “Jeta e shkrimtarëve është burim për ta. Unë fëmijërisë i jam rikthyer në disa vepra. Me ndjesi të ndryshme, si brengë dhe lumturi, por pa ndonjë spekulim. E kam bërë se më ka ardhur natyrshëm”. Një tjetër ndalesë e të rinjve ishte romani “Kush e solli Doruntinën” që solli në tryezë, misterin, legjendën e të vërtetën që kundërshtohet, sepse shpesh mungon forca, për të pranuar dy botë të ndryshme. “Letërsia ka rregullat e veta që nuk përkojnë me rregullat e jetës. Realizmi socialist, pati rregulla vrastare për letërsinë”.

Në këtë lami, ai foli edhe për heroin pozitiv dhe dëmin që i bëjnë stereotipat letërsisë.

“Heroi pozitiv që kërkohej në atë kohë, ishte kërkesa më absurde, madje më e çmendur për artin dhe letërsinë sepse është jashtëletrare. Shpesh shkrimtarët kanë keqardhje për atë që nuk e kanë shkruar dot, po nuk ka vlerë”. Shkrimtari që jetoi Tiranën dhe Moskën duke marrë e dhënë prej tyre, nuk sheh dallime a ndryshime te vetja pas Moskës, ngase sipas tij, logjika e letërsisë, është ndryshe nga e jona. “Personazhi pozitiv është i mërzitshëm, nuk i duhet letërsisë, ashtu si mësimet e partisë që kishin të bënin me parulla që nuk kishin kuptim. Po ashtu edhe orientimet mbi idetë optimiste e pesimiste nuk mund të merren seriozisht nga shkrimtarët ndryshe letërsia nuk do kishte vlerë.

Për të dëshmuar dëmin e kanoneve jashtëletrare, Kadare foli për letërsitë brenda kufijve të realizmit socialist.

“Nëse një shkrimtar e merrte seriozisht realizmin socialist ishte i destinuar të dështonte. Ata që e bënë dhe ata që e kërkuan, thyen ligjet e shenjta të letërsisë. Po ashtu të ecje sipas mësimeve të partisë në letërsi ishte të vije duart në kokë” -tha Kadare. Me sportivitetin që krijojnë të rinjtë, pyetjet ishin të drejtpërdrejta. Vetë Kadare, u kujdes ta ç’tensionojë herë pas here situatën, duke sjellë ndjesitë e përbashkëta. “Mos ngurroni të bëni pyetjet që doni, ose të më thoni kur kam i qartë. Ka pyetje që shkrimtari i bën gjatë gjithë jetës. Letërsia e vërtetë nuk e lë shkrimtarin të gabojë”

Në vazhdën e një mendimi mbi çka qenë letërsia dhe cili ka qenë ndikimi i saj në vend ne kohë të errëta, shkrimtari i madh, foli për të shkruarin dhe shpirtin.

“Letërsia në komunizëm, ishte e pavlerë për shpirtin njerëzor. Kënaqeshim me lugë të zbrazët, flitej për gjoja njerëz”, tha ai. Përmbledhja e poezive 1959-1989, është sa një vëllim në vargje po aq, edhe jeta e tij mes Moskës e Tiranës. Dilemat e tij dalin në një varg, ku ai i drejtohej Pushkinit për ndihmë. “I kërkova ndihmë Pushkinit që të ruaja veten nga leksionet e parullat. Është metaforë, por besoj se këtë ide kam pasur. Si studentë në Gorki, kishim liri në mendime, ose shpesh e gjenim lirinë”, rrëfeu ai. Nëse në këtë 85 vjetor ai kthen kokën pas kur pyetet për lumturinë, duket i sinqertë në atë që është perceptimi i njeriut mbi lumturinë që ka ndjerë a ndjen, dhe çastin fatlum kur e ka kuptuar. Lumturia është e pagjendshme, ose e kupton vonë. Mund të them se krijimtaria, është lumturi e herëpashershme e vazhdueshme”, -vërejti.

Shkrimtari edhe njëherë sqaroi arsyet që e kanë bërë atë, të ndërhyjë në veprat e botuara, duke dhënë arsye të qenësishme, mbi pjesët që shërbyen si hi syve për censurën. “Ndërhyrjet që kam bërë unë në vepra, kanë të bëjnë me disa justifikime për budallenjtë. Dikur mendjet e budallenjve, kishin rëndësi, sepse vendosnin, ndaj ndërhyj për këtë arsye”. Për të letërsia ngërthen çdo ndjesi sepse letërsia e shtrin të vërtetën në çdo kohë. Ai foli edhe për portretizimin e Hoxhës në veprën e tij, dhe grackën në të cilën është vënë diktatori, nga shkrimtari i madh. Ka pasur studiues që e kanë quajtur mjeshtër shahu përballe tiranit, por vetë Kadare, foli për terma e fjale që gjenden mes rreshtave. “Tablloja kinoshqiptare ka qenë pak groteske, pak djallëzore, pak kritike e pak komike. Më kanë akuzuar se kam portretizuar Enver Hoxhën në dy romane, te Koncerti dhe te Dimri.

Vinkmag ad

Read Previous

Akuzat për sulmin në Capitol Hill /Republikanët dështojnë të ‘shpëtojnë’ Donald Trump

Read Next

Gazetarja që zbardhi Ndraghetën shpërthen ndaj mediave të pushtetit: Shkofshi në djall

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular