Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi iu është bashkuar komenteve për fotografinë e publikuar në të cilën shfaqet ish-kryeministri Sali Berisha me diktatorin Enver Hoxha. I ftuar në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në RTSH 24, Topi e ka lidhur fotografinë me platformën e Katovicës, sipas të cilës, pas rrëzimit të komunizmit në vendet lindore të Evropës ishkomunistët do ishin përsëri në pushtet në një formë tjetër. Topi ka bërë edhe shpjegimin konkret të fotografisë, duke shquar edhe emra të tjerë që janë fiksuar në këtë fotografi.
“Ka disa rubrika si “Foto që flasin vetë”, apo edhe “Një foto sa 1 mijë fjalë”. Kjo është foto sa një mijë fjalë. Çfarë të them unë? Shiko, të gjithë politikanët pas vitit 1990 nuk janë prodhuar nga institute të kualifikuara për politikë. Secili erdhi nga profesione të ndryshme. Zgjidhjet politike nuk kanë qenë më të mençurat, por kanë qenë nga rrethanat apo papjekuria. Çështja është se askush nuk e kthen kokën se cfarë ka ndodhur në këto 30 vite në Shqipëri nga orientimet që Gorbaçovi i dha në prag të ndryshimeve të mëdha për të gjitha vendet e Lindjes. Këtu nis e gjitha te Katovica. Unë shikoj në këtë foto Enver Hoxhën, Nexhmije Hoxhën në pritje, domethënë ata që e kanë pritur profesor Isuf Kalon, Sali Berishën dhe i treti është ish-kryetari i Urdhrit të Mjekëve, Dine Abazi. Kjo nuk është e vetmja fotografi? Ju mendoni se u deshën 30 vite për të interpretuar Berishën, si ka hyrë dhe çfarë ka njohur. Më mirë fare do ishte tua jepje protagonistëve ta shpjegojnë çfarë ka ndodhur aty, kush ka qenë, pse ka qenë. Unë di që gjatë komunizmit kur kaloja në trotuarin përbri Bllokut më thoshte ushtari zbrit poshtë. Ndonjëherë mungonte kurajoja për të parë. Për hir të vërtetës krijohej një lloj kurioziteti për ta parë në 360 gradë Bllokun. Unë dilja sepse kam qenë në moshën e rinisë dhe dija shumë mirë. konfiguracionin ku hyje dhe ku dilej. Dhe kishte rrugët periferike të Bllokut, kishte pallatet e banuara. Dija kush banonte afër. Bulevardi i Tiranës ishte institucioni i disidencës.”, është shprehur në lidhje me këtë fotografi ish-Presidenti Bamir Topi.