Search
Close this search box.

“Shoku Enver, s’ kam qenë asnjëherë kundër vijës së Partisë e as revizionist”, zbulohet letra e Trebeshinës. Si i përgjigjej diktatori

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) që i përkasin periudhës së viteve 1963 – 1965, ku ndodhen disa letra të shkrimtarit të njohur Kasem Trebeshina, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike, ku ai, pasi i kërkonte që të kthehej nga Gramshi në Tiranë, i bënte me dije udhëheqësit kryesorë të Partisë, se ai asnjë herë nuk kishte dalë kundër vijës së Partisë e ligjeve të shtetit dhe jo vetëm që nuk ishte revizionist siç e kishin akuzuar me pa të drejtë, por në vitin 1956, kur kishte ndodhur Konferenca e Partisë së Tiranës, ai i kishte dërguar një letër Mehmet Shehut, duke i kërkuar dënimin e tyre! Ankesat e tjera të Trebeshinës dhe përgjigje e Enver Hoxhës, ku shkruante” Le të vazhdohet të ndihmohet…”!

Ashtu siç pamë edhe në kapituj të tjerë paraardhës të këtij libri, ku shkrimtari Kasem Trebeshina, në vitin 1963 u ka dërguar një sërë letrash, Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike, (letra që tashmë janë të njohura prej vitesh, nga që janë bërë publike prej shkrimtarit dhe studiuesit të njohur, Prof. Dr. Sadik Bejko në librin e tij “Disidentët e rremë”), Trebeshina e përsërit të njëjtën gjë dy vjet më vonë, duke u dërguar përsëri një sërë letrash dhe ankesash në adresë të Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike. Po ashtu, si në letrat e vitit 1963, ku ai u bën me dije udhëheqjes së lartë të PPSH-së, se; nuk ka qenë dhe nuk ka dalë asnjëherë kundra vijës së partisë dhe ligjeve të shtetit, edhe në letrat e vitit 1965, ai përsërit të njëjtën gjë. Kështu, në vitin 1963, ai u bënte me dije të dërguarve të udhëheqjes që shkuan për ta takuar në Gramsh, se: “Nuk kam qenë asnjëherë kundra vijës së partisë, përkundrazi, në vitin 1956 kur u zhvillua Konferenca e Tiranës e më vonë kur u bë kundërrevolucioni në Hungari, kam mbajtur një qëndrim të mirë dhe në këtë kohë i kam dërguar një letër shokut Mehmet Shehu, me të cilën si qytetar i Republikës Popullore të Shqipërisë, solidarizohesha me qëndrimin që mbante partia”. Pak a shumë të njëjtën gjë Trebeshina përsërit edhe në letrat e vitit 1965, ku në mes të tjerash, shkruan pasazhe të tilla si: “Nuk kam qenë asnjëherë kundërshtar dhe gjithë pakënaqësia ime, do të zhdukej me një botim në kohën e duhur”. “Gjithë gabimet e mija janë shkaktuar nga nxitimi dhe në inat e sipër”. “Më mbyllën në Ishullin e Zvërnecit duke më akuzuar si revizionist, pa qenë i tillë”. “Unë jam i kënaqur që e pashë vendin tim të lulëzuar dhe sidomos me një pavarësi të plotë”. Pra: letrat pothuaj kanë të njëjtën përmbajte, por ndryshon vetëm koha kur ato janë shkruar. Kështu p.sh., në vitin 1963, ai bënte kërkesë që të mos qëndronte më në Gramsh si mësues, por ta lejonin të kthehej pranë familjes në Tiranë, apo dhe në Shijak, ku kishte dhe shokun e mikun e tij të afërt, Mehmet Myftiu, (kërkesë që i’u plotësua), nga Shijaku, tashmë ai kërkon Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike, që të kthehet në Tiranë. Dhe pas plotësimit të kësaj kërkese, nga Tirana ku banonte, Trebeshina i kërkon përsëri Enverit dhe Byrosë, që; nuk është dakord që të punojë si llogaritar ku e kanë caktuar, por i’u lutet atyre që të punojë si “përkthenjës”. Sa më sipër cituam, ndryshe nga letrat e vitit 1963, ku në mosplotësim të kërkesave të tija, Trebeshina kërcënonte me grevë urie, në letrat e vitit 1965, ai “ka avancuar” më tej në “kërcënimet” e tij, duke i bërë me dije Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike, se: “Në pamundësi që t’i shtyj më gjatë ditët dhe vuajtjet e mija dhe duke qenë shumë i sëmurë, në pamundësi shërimi, kam vendosur që ta mbyll sa më parë jetën time, duke ngritur vetë dorën kundër saj”. Pra, kësaj radhe Trebeshina kërcënon me vetëflijim, gjë të cilën e specifikon se e bën për shkak të një sëmundje të pashërueshme që ka…?! Nga letrat dhe dokumentet arkivore që disponojmë, si ato të vitit 1963 dhe ato të 1965, edhe përgjigjet që i kthehen Trebeshinës nga udhëheqja e lartë, si Enver Hoxha, Mehmet Shehu etj, kanë pothuaj të njëjtën frymë në përmbajtjen e tyre. Madje, Enver Hoxha ka shkruar me dorën e tij: “Të bëjmë përpjekje ta ndihmojmë, që ai të heqë dorë nga marrëzitë e tij”. Po kështu në një shënim tjetër thuhet se, Mehmet Shehu ka urdhëruar që; Kasem Trebeshinën t’a sjellin në Tiranë, siç dhe e sollën në të vërtetë pas letrave të shumta që ai niste në adresë të udhëheqjes. Të gjitha këto ndoshta kanë ardhur nga fakti se Trebeshina, kishte lidhje farefisnie e krushqie me disa nga udhëheqja e lartë, si p.sh., Fiqret Shehu, Bilbil Klosi, Ramiz Alia etj., deri tek i vëllai, Myzafer Trebeshina, Sekretari i Parë I-rë në disa rrethe, apo nipi i tij, hetues në ‘Grupin e Hetuesisë Speciale’ që gjykonte Kadri Hazbiun, Feçorr Shehun, Llambi Ziçishtin, Llambi Peçinin, etj., në vitin 1982. Edhe vetë Kasemi vinte nga Lufta, madje me mjaft merita. Por, edhe pse Trebeshina pati një jetë plot vuajtje dhe sakrifica, duke kaluar vite të tëra larg familjes, si në Ishullin e Zvërnecit, Spitalin e Burgut në Tiranë (Spitali Psikiatrik), Gramsh e Shijak, duhet thënë se në letrat e tij nuk rezulton aspak ndonjë frymë disidence, sikur është paraqitur pas viteve ’90-të nga disa dashamirës apo adhurues të tij?! Përkundrazi, ai shprehet solidar me pushtetin komunist dhe udhëheqjen e lartë, gjë e cila si duket është bërë shkas që gradualisht atij i janë plotësuar pothuaj të gjithë kërkesat, me përjashtim të asaj që kërkonte të punonte si përkthyes. Dhe po ta krahasojmë këtë gjë me shkrimtarë dhe poetë të tjerë, si p.sh. Trifon Xhagjika, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Hafzi Nela, etj., ajo që ka bërë udhëheqja me Trebeshinën, pa e tepruar aspak, mund të quhet një “llastim”. Gjithsesi, duhet pranuar aksioma e vjetër se: “Çdo kujt i mjaftojnë vuajtjet e veta”?! Dokumentet në fjalë i publikojmë të plota dhe pa asnjë shkurtim.

Letra e Kasem Trebeshinës nga Shijaku për Enver Hoxhën

Sekretarit të parë të K. Qëndror të P.P.Sh.

Shokut Enver Hoxha

Tiranë

Me anë të kësaj letre u vë në dijeni për sa më poshtë vijon: Në pamundësi që t’i shtyj më gjatë ditët dhe vuajtjet të mija dhe duke qenë shumë i sëmurë, në pamundësi shërimi e kam vendosur që t’a mbyll sa më parë jetën time duke ngritur vetë dorën kundër saj. Por përpara se të mbyll sytë dua të provoj për herë të fundit në kam mbetur me të vërtetë i tepërt në Shqipërinë tonë dhe si tillë të ç’dukem.

Përveç kësaj, përpara se të mbyll sytë përgjithmonë dua të them dhe këtë: Nuk kam qenë asnjëherë kundërshtar dhe gjithë pakënaqësia ime do të ç’dukej në një botim në kohën e duhur. Nuk kam pasur asnjë përgatitje ideollogjike dhe gjithë gabimet e mija janë shkaktuar nga nxitimi dhe në inat e sipër. Unë jam i kënaqur që e pashë vendin tim të lulëzuar dhe sidomos me një pamvarësi të plotë dhe të siguruar mirë.

Nuk kam çfarë të them më tepër dhe në gjendjen time nuk mund të thuhet më tepër.

Duke e mbyllur dua t’u kujtoj edhe njëherë kërkesat e mija të vazhdueshme për lirim, kërkesa që gjermë tashti kanë mbetur pa përgjigje. Në mes të tjerave dua t’iu kujtoj edhe faktin se tashti mbushen tre vjet dhe kjo kohë përbën dënimin që më është dhënë në fillim kur u mbylla në Ishullin e Zvërnecit si revizionist, pa qenë i tillë.

Po qe akoma ndonjë derë për lirimin tim, i lutem të mos ngurroni të m’a hapni për të kthyer edhe njëherë në gjirin e familjes sime, në gjirin e shoqërisë, që me një punë të vogël të ndihmoj vehten time, familjen time dhe shoqërinë.

Duke u kapur pas kësaj shprese të fundit dhe duke pritur vdekjen nga çasti në çast.

Mbetem me respekt

(Kasem Trebeshina)

Shijak, 20/ Mars/ 1965

Kartela e letrës së Kasem Trebeshinës drejtuar Enverit dhe Byrosë Politike

KOMITETI QENDROR I P.P.SH Alf. K

Dega e Përgjithëshme Nr. 158

Seksjoni i pritjeve dhe letrave e ankesave Dt.25.3.’65

K A R T T E L E E REGJISTRIMIT DHE EVIDENCES SE LETRAVE

Emri; Kasem Trebeshina

Adresa: Hotel Shijak, Rrethi Durrës

Kujt i drejtohet letra….Shokut Enver dhe Byrosë Politike

U lexua nga V.Ç.

Çështja që parashtron: Thotë se para se t’i jap fund jetës, po bën këtë letër për të parë se mos ka mbetur ndonjë fije shprese për ta liruar pranë familjes së tij. Para se t’i mbyllë sytë është i gëzuar se pa Shqipërinë të Lirë dhe të Lulëzuar. Asnjë shenjë pakënaqësie nuk do të ishte krijuar tek ai në qoftë se do t’i botoheshin veprat në kohën e duhur. Pret nga çasti në çast që t’i jap fund jetës.

Kërkon që të bashkohet me familjen. Të njëjtën letër i bën dhe Byrosë Politike

Porosia e dhënë nga sekretari i K.Q., ose drejtori:

Shënimi i Enver Hoxhës me shkrimin e tij:

Ne nuk jemi shtypshkronjë të cilat kanë rregullat e tyre. Duhet të bëni përpjekje nga shokët nga të afërmit që të heqë dorë nga marrëzitë që thotë

(Me kurajo thonë se ……..dhe të tjera është dhe mendon)

Është mistik, ky është ndihmuar. Le të vazhdojnë ta ndihmojnë si e thashë më lart.

Enver

Kartela e letrës së Kasem Trebeshinës për Enver Hoxhën

KOMITETI QENDROR I P.P.SH Alf. K

Dega e Përgjithëshme Nr. 158

Seksjoni i pritjeve dhe letrave e ankesave                                  Dt.27.7.’65

K A R T T E L E E REGJISTRIMIT DHE EVIDENCES SE LETRAVE

Emri; Kasem Trebeshina

Adresa: Rr. N. Tupe, Pall. Nr. 6. Shk. 2 Ap. 9 Rrethi Tiranë

Kujt i drejtohet letra….Shokut Enver U lexua nga J.K.

Çështja që parashtron: I është dhënë punë si llogaritar. Nuk është dakord dhe kërkon që të punojë si përkthenjës: ndryshe, shkruan ai, të lihet në heshtje dhe të mos i bëhet presion.

Mendojmë të mos bëjmë ndërhyrje Porosia e dhënë nga sekretari i K.Q., ose drejtori.

Shënim:

Pse e mbani këtë në Tiranë

Firma (Hysni Kapo)

Iu dha për zbatim

Shoku Kadri thotë se e ka porositur shoku kryeministër që ta sjellin këtu.

16.8.965

Shoku Rita porosit që të mblidhet tërë praktika e Kasem Trebeshinës, mbasi do të bisedojë me shokun Enver kur të kthehet nga pushimi.

Porosit gjithashtu t’i komunikohet nga organet e pushtetit, jo të partisë, që të vejë në punë atje ku e caktojnë dhe të mos vijë rrotull. Njoftoni shokun Jovan ose i thoni shokut Sabri ose shokut Sevo Tarifa të ngarkojë njeri të thërrasin e ta njoftojnë për kërkesën që bën.

Shënim

Vura në dijeni shokun Enver (firma)

U njoftua Sh. Sabri, pastaj sipas porosive, pasi sh. Sevo Tarifa është me leje. Ai do ta thërrasë dhe do ta sqaroj.

23.8.

Letra e Kasem Trebeshinës për Enver Hoxhën

Shokut Enver Hoxha

                                Sekretar i Parë i K.Q. të P.P.SH.

           Tiranë

Marr leje t’u drejtohem për sa më poshtë:

Duke qenë se pasi kërkova punë dhe më caktuan si llogaritar, për mua do të ishte mirë që të dija në se mund të kërkojë një punë si përkthenjës. Po qe se nuk e kam këtë të drejtë dhe po qe se më takon vetëm llogaria si një vendim i prerë, u lutem të më lejoni që të tërhiqem në heshtje dhe të mos më bëhet asnjë presion për t’u bërë llogaritar.

Në pritje të përgjigjes suaj

Mbetem me respekt

(Kasem Trebeshina)

Tiranë, 26/7/’65

Letra e Trebeshinës për Byronë Politike

Byrosë Politike të K.Q. të P.P. SH.

T i r a n ë

Kam 8 muaj që jam liruar nga internimi dhe në mbarim të të 1965 jam akoma pa punë dhe në gjëndje izolimi. Që të të mos formohet një mëndim jo i drejtë i gjëndjes sime, e quaj të nevojshme që të sqaroj sa më poshtë:

Si të gjithë qytetarët e Republikës edhe unë kam nevojë (si familjar) për punë, gjë të cilën e kam edhe detyrë. Këtë gjë e kam kërkuar disa herë, por meqënse e vetmja punë që më është dhënë (si llogaritar) ka pasur karakterin e një ndëshkimi, parimisht nuk mund të bëj një punë ndëshkimore në një vënd të lirë dhe, rrjedhimisht, detyrohem që të hiqem mënjanë duke vënë në dijeni atë Byro Politike se ky veprim i imi nuk është një qëndrim opozitar dhe pasiv siç mund të interpretohet, po një qëndrim i imponuar nga rrethanat e krijuara, në kushte izolimi.

Duke shpresuar se ky qëndrim jo dashamirës karshi meje nuk do të vazhdojë.

Mbetem me respekt

(Kasem Trebeshina)

Tiranë, I/XII/ 1965

 Letra e Trebeshinës dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së

KOMITETI QENDROR I P.P.SH Alf. K

Dega e Përgjithëshme Nr. 158

Seksjoni i pritjeve dhe letrave e ankesave Dt.27.7.’65

K A R T T E L E E REGJISTRIMIT DHE EVIDENCES SE LETRAVE

Emri; Kasem Trebeshina

Adresa: Rr. N. Tupe, Pall. Nr. 6. Shk. 2 Ap. 9 Qyteti Tiranë

Kujt i drejtohet letra….Byrosë Politike U lexua nga Th. Ç.

Çështja që parashtron: Shkruan se ka 8 muaj që është liruar nga internimi dhe akoma s’po e vendosin në punë të përshtatëshme.

E vetmja punë që i është ofruar ka qenë ajo e llogaritarit, por duke qenë se caktimi në një punë të tillë ka karakterin e një ndëshkimi, nuk e ka pranuar.

Shënim: Mendoj që letra të arshivohet pa përgjigjie./Memorie.al

Sadik Myftiu

16.XII.1965

Ky shkrim është marrë nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, i gazetarit Dashnor Kaloçi, që pritet të dalë së shpejti.

Vinkmag ad

Read Previous

Mandati dhe opera private/ Rrëfimi i Zana Çelës nga Opera e së ardhmes te infektimi me Covid

Read Next

287 të infektuar dhe 6 viktima nga Covid-19 në Kosovë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular