Një valë ndërtimesh nisi në kryeqytet që pas vitit 2017, e raportuar kjo dhe në rritjen e fortë të sipërfaqes së banesave të dhëna për leje ndërtimi.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, sipërfaqja e lejeve të dhëna për banesa në Tiranë, në 2019-n arriti në mbi 1 milionë metra katror, me rritje gati 49% me bazë vjetore dhe duke shënuar nivelin më të lartë që nga 2005-a, kur uria për të ndërtuar në kryeqytet ishte shumë e lartë (shih grafikun e lejeve të ndërtimit).
Të dhëna të tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky bum i ndërtimeve nuk po financohet me kredi bankare. Huaja e re për sektorin e ndërtimit ka ardhur në rënie që prej vitit 2017. Në 2019-n, kredia e re e dhënë për ndërtimin (11 mujori) ishte rreth 24% më e ulët se në 2017-n, sipas të dhënave zyrtare dhe në të njëjtat nivele ishte dhe për 11 mujorin 2020. (shih grafikun Kredia e re për ndërtimin, 11 mujori).
Nga lista e kompanive që kanë marrë leje ndërtimi vitet e fundit rezultojnë subjekte që kanë pasur të ardhura minimale, apo kanë qenë të fjetura prej shumë vitesh. Monitor ka analizuar bilancet e njërës prej tyre për të kuptuar se si arrijnë të ndërtojnë firmat që nuk kanë burime financiare (të dhënat janë reale dhe janë konvertuar në euro) dhe që nuk po financohen nga bankat.
Kompania X ka marrë një leje ndërtimi në vitin 2017. Këtë vit, subjekti kishte dorëzuar vetëm bilancin e 2016-s. Nga bilanci zyrtar rezulton se të ardhurat e saj ishin vetëm 54 mijë euro, që janë të pamjaftueshme për të blerë një apartament dhe jo më për të filluar ndërtimin e një pallati. Kompania kishte një humbje minimale prej rreth 3 mijë eurosh. Po në vitin 2016, kompania kishte asete gjithsej prej 58 mijë eurosh, nga të cilat 35 mijë euro ishin para në bankë ose arkë. Në kahun tjetër, subjekti kishte detyrime prej 50 mijë eurosh ndaj të tretëve, ndërsa nuk kishte kredi në banka.
Në vitin 2017, kompania fillon ndërtimin. Nga bilanci i 2017-s rezulton se dy janë format kryesore se si ajo i ka justifikuar punimet edhe pse fillimisht nuk zotëronte asnjë burim financiar:
-Së pari, përmes detyrimeve që ajo u ka furnitorëve, që merr mallrat, që nënkupton që kompania ka marrë materiale ndërtimi dhe nuk i ka paguar të tretët.
-Së dyti, përmes parapagimeve nga klientët për shitjen e apartamenteve.
Në vitin e parë të ndërtimit, kompania ka raportuar të ardhura prej 354 mijë eurosh, ose gati 7 herë më të larta se në 2016-n.
Të njëjtën skemë, kompania ka përdorur edhe në 2018-n, Furnitorët pothuajse janë dyfishuar në 650 mijë euro, ndërsa ka vijuar marrja e parapagimeve nga klientët. Subjekti ka vijuar që të mos ketë asnjë mbështetje financiare nga bankat.
Si rrjedhojë, nga një kompani me të ardhura minimale në 2016-n, në fund të vitit 2018 subjekti X raportoi dhjetëfishim të të ardhurave në krahasim me 2016-n (nga 54 mijë euro në 573 mijë euro), ndërsa filloi të rezultojë me fitime para taksave prej rreth 51.5 mijë euro.
Një tjetër kompani Y kishte të ardhura përkatësisht 30-36 mijë euro në 2016-2017, ndërsa kishte asete minimale. Në 2018-n kompania fillon ndërtimin e një pallati në kryeqytet. Po atë vit, të ardhurat rriten me shpejtësi, me 21 herë, në gati 800 mijë euro. Ashtu si në rastin e kompanisë X, edhe subjekti Y raporton rritje të zërit të “Arkëtime në avance për porosi” dhe “Të pagueshme për aktivitetin e shfrytëzimit”.
Një raport i mëparshëm i “Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” (Global Initiative against Transnational Organized Crime) gjeti se rreth 60% e firmave të ndërtimit, që kanë marrë leje në periudhën 2017-2019 në kryeqytet, nuk i justifikojnë burimet e tyre financiare. Sipas raportit, nga 141 kompani që kanë marrë leje ndërtimi për ndërtesa më të larta sesa 6 kate midis 2017 dhe 2019, 59% e tyre nuk kishin kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato. Sipas bilanceve të tyre, kompanitë kishin të ardhura minimale dhe nuk kishin as asete dhe hua dhe as kompani të lidhura, që do t’u mundësonin të bënin një investim të tillë./Monitor.al/