
Deputeti Flamur Noka ka folur i nervozuar nga salla e seancave plenare në Kuvend, pasi PD zyrtare ka depozituar një kërkesë në zyrën e kryetares Nikolla për përjashtimin e tij dhe të tjerëve nga Grupi Parlamentar. Kjo është seanca e parë për vitin 2022.
Edhe pse Noka ndodhej disa karrige larg Lulzim Bashës, ka thënë se kreu i PD mund të merret peng por jo deputetët e opozitës.
Flamur Noka: Zonja kryetare e Kuvendit, megjithëse nga kolegët u informova nga kolegët, ju jeni e pafajshme sepse keni zbatuar urdhrin e shoqatës së bravave e llozave të blinduara me katraz. Në këtë mënyrë ju mendoni se do të fusni në thes opozitën, zërin opozitar do ta shuani dhe mendoni që pluralizmin do ta kontrolloni. Deputetët nuk janë peng, pavarësisht se ju keni marrë kreun e shoqatës së bravave peng. Nuk mundet tua caktojë përkatësinë askush tjetër përveçse atyre demokratëve që i kanë zgjedhur e i kanë votuar. Ju kujtoj se Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka marrë vendime dhe në shkresën që ju kemi përcjellë janë vendimet, është shkarkuar dhe deri më 22 mars, Partinë Demokratike e përfaqëson vetëm Komisioni i Rithemelimit të ngritur nga ky Kuvend. është marrë dhe vendimi për një Referendum, ju ka ardhur shkresa me vulë. Ju komunikoj përsëri, ka vetëm një Kuvend të ligjshëm, çdo dokument që ju vjen nga shoqata e bravave e shulave është nul. Pengut mund t’ia ndërtoni bunkerin edhe këtu, por…
Lindita Nikolla: Mbaroi koha, rregullorja më përcakton kufijtë se si unë i procedoj gjërat, unë sot bëra atë që më thotë rregullorja, atë që grupi parlamentar të PD-së më ka përcjellë, kaq
Flamur Noka: (nuk kuptohet)
Lindita Nikolla: E përmendët ju më herët emrin tim
Flamur Noka: Jo, por…
Lindita Nikolla: Ju lutem nuk kam asnjë kundër-argument për ju.
