Në Kuvendin e thirrur nga Lulzim Basha në Pallatin e Kongreseve para se të merreshin vendimet përkatëse u bë edhe llogaritja e delegatëve të pranishëm në sallë.
Kryetari i Komisionit që ndjek punimet e Kuvendit të 18 Dhjetorit, Jemin Gjana deklaroi se sipas të dhënave që disponon ky kuvend ka shumicën e delegatëve. Pra, sipas tij në kuvendin e sotëm ka 5004 delegatë.
“Nga të dhënat e regjistrimeve në të 14 komisionet e verifikimit të mandateve të delegatëve të Kuvendit, sekretariati pranë këtij komisioni ka dorëzuar të dhënat e pjesëmarrjes. Kuvendi ka gjithsej 7600 delegatë. Sipas prezencës së nënshkruar prej secilit prej tyre, janë të pranishëm në Kuvendin Kombëtar 5004 delegatë.”-tha Jemin Gjana. Ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare Pallati i Kongreseve ka një kapacitet prej 2100 vendesh.