Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka dalë në përfundimin se skandali i patronazhistësve nuk ka lidhje me korrupsionin.
Pas hetimeve të kryera mbi skandalin e patronazhistësve, SPAK konstaton se nuk është mundësuar gjetja e asnjë të dhëne, prove apo indicie, që të jetë konsumuar vepra penale e korrupsionit aktiv në zgjedhje.
“Nga tërësia e të dhënave të administruara deri në këtë moment, konstatohet se përgjatë gjithë kohës së kryerjes së këtij hetimi, nuk është mundësuar gjetja e asnjë të dhëne, prove apo indicie, që të jetë konsumuar vepra penale e korrupsionit aktiv në zgjedhje.Nuk rezulton që ndonjë veprim korruptiv konkret në fushën zgjedhore, të ketë lindur apo të ketë marrë jetë, si pasojë e të dhënave që janë pasqyruar në bazën e sipërcituar, të publikuar.Ajo që deri më tani mbështet në provat e administruara, ka të bëjë me faktin se ekziston dyshimi, se punonjës të cilët kanë mundësi aksesi në bazën e të dhënave shtetërore, mund të kenë keqpërdorur atributet që u janë ofruar nga kuadri ligjor rregullues, duke vepruar në tejkalim të autorizimit për të hyrë në një sistem kompjuterik a në një pjesë të tij, nëpërmjet cenimit të masave të sigurimit. Për këtë arsye vlerësohet se duhet të procedohet me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës penale, nga ajo për të cilën ky procedim penal u regjistrua e konkretisht nga neni 328 i K.Penal në atë të parashikuar nga neni 192/b i K.Penal “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, thuhet në njoftimin e SPAK.