Nga Endi Tufa/Tërbuni i Pukës dhe Flamurtari i Vlorës, luajtën ndeshjen “finale” të qëndrimit apo zbritjes në Kategorinë e Dytë. Dhe a e gjeni dot se nga kush do të luajë në këtë kategori, e cila në ndarjen e futbollit shqiptar, është e treta?!… Jo nuk e gjetët! Në Kategorinë e Tretë sezonin e ardhshëm do të luajë Flamurtari, sepse u mund nga Tërbuni i Pukës në ndeshjen e “play-out” pas goditjeve të penalltive 4-5.
Flamurtari i biznesmenëve turq, të përfaqësuar nga Sinan Idrizi, ia doli, që me disa milliona euro të shpenzuara në këto 9 vitet e fundit, diçka më tepër se 8 milionë euro siç thuhet, të organizojë “varrimin” e tij dhe me shumë borxhe mbi supe.
Një nga ato qytete, që veç të tjerave rron me krenarinë e futbollit dhe historinë e klubit kuqezi, Flamurtarit, u bë viktimë e premtimeve, fjalëve dhe projektet e mëdha në letër dhe “3D” të investitorëve të rinj. Atyre që do të shndërronin Flamurtarin në skuadrën që vërtetë do të mbante flamurin e do të udhëhiqte futbollin tonë me sukseset sportive. Por në fakt, Sinan Idrizi e udhëhoqi me “batuta humori”, me ironira ndaj kujdo që e kritikonte se po e çonte Flamurtarin drejt greminës, me autobusin 300.000 eurosh për skuadrën, për të cilën jo vetëm vlonjatët, por të gjithë krenohen me yjet që ka nxjerrë dhe arritjet, si ato në përballjet me Barcelonën dhe Partizanin e Beogradit etj. Justifikime nuk ka. Kjo nuk justifikon edhe milionat e eurove për borxhet që lau. Ato ishin prap pak, kur sot sheh që Flamurtari i madh, po shkon drejt një falimenti për të shpëtuar, një tjetër mal po kaq të madh me borxhe, që u krijuan në këtë periudhë. Vlora sot ndoshta e hutuar nga krismat dhe ngjarjet e fundit kriminale të ditëve të fundit, i duket luks të mendojë për futbollin, por me indiferencën e tyre, vlonjatët nga nesër do të kuptojnë se i vranë qytetit futbollin, Flamurtarin dhe një prej krenarive më të mëdha të tyre.