Rezart Taçi është biznesmeni, i cili është shpallur ditën e sotme në kërkim nga SPAK teksa dyshohet për pastrim parash.
Emri i Rezart Taçit nuk është i njohur vetëm në rrethin e biznesmenëve por edhe në atë të drejtësisë
Në 23/01/ 2018 biznesmeni Rezart Taçi është rishfaqur për herë të parë pas një kohë të gjatë dhe disa akuzash që rëndonin mbi të, në një televizion shqiptar teksa ka ndërhyrë nëpërmjet lidhjes telefonike në një emisioni ku po diskutohej për kompaninë e naftës, ARMO.
Ai ka pranuar se ndodhej në Stamboll të Turqisë dhe se në Shqipëri nuk kthehet për arsye personale. Taçi në po të njëjtën lidhje telefonike ka shuar zërat duke mohuar se nuk ka probleme me drejtësinë apo borxhe të pashlyera që mund ta pengonin të kthehet në Shqipëri, por përsëriti se bëhej fjalë për çështje private.
Ndërkohë që kundrejt Taçit në vitin 2019 Prokuroria ka ngriti zyrtarisht akuzën se nuk kishte paguar 8 milionë euro detyrime tatimi dhe taksash teksa ishte një nga administratorët e ARMO-s
Këtë konstatim fillimisht e ka bërë një audit i tatimeve që kontrolloi veprimtarinë e Armo-s për vitet 2011-2013. Dhe në bazë të këtij raporti prokuroria nisi hetimet dhe e dërgoi çështjen në gjykim.
Por më 03/10/2019 Apeli ka rrëzuar ankiminimin e Prokurorisë dhe ka shpallur të pafajshëm biznesmenin Rezart Taçi, për akuzat për fshehje pasurie dhe mospagim taksash. Teksa Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e pafajësisë të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Ngjarjet kanë vijuar më tej teksa është bërë publike në media se në një kohë kur ARMO, kompania me pronar Rezar Taçin nuk shlyente detyrimet tatimore me argumentin se nuk kishte likuiditet, u regjistruan tërheqje të konsiderueshme disa milionë euro nga llogaritë bankare të firmës, të cilat nuk dihet se ku kanë përfunduar.
Sjellim në vëmendje se Taçi u akuzua edhe nga autoritetet zvicerane për mashtrime me disa firma, por për momentin nuk dihet se si kanë përfunduar këto procedura.
Por histroia e biznesmenit shqiptar nuk mbaron me kaq.
Më 29/05/2020 mediat italiane kanë shkruar se biznesmeni Rezart Taçi ka depozituar 362 milionë euro në Singapor. Sipas medieve italiane shuma e madhe është depozituar në një bankë, ku ka zyrat edhe kompania “Vetro Energy”, me të cilën ai dështoi të merrte kompaninë shtetërore të naftës, Albpetrol.
“ Rezart Taçi, biznesmen nafte, është përmendur në Itali si president i Parma-s. Tashmë është bërë edhe një herë objekt i lajmeve ndërkombëtare. Sipas burimeve të akredituara gazetareske, në një bankë në Singapor janë derdhur 362 milion euro që i atribuohen Taçit dhe kompanive të tij. Lidhja midis biznesmenit shqiptar, një mik i Silvio Berlusconit, aq shumë sa që ai ishte gjithashtu sponsori i Milanit me Taçi Oil-in e tij, dhe qendra financiare e Azisë Juglindore vjen nga larg: shuma ishte vendosur në Singapor Vetro Energy, e njëjta përmes së cilës Taçi tentoi blerjen e dështuar në Albeptrol, një kompani shtetërore e naftës në Shqiperi.”, shkruajnë mediet italiane rreth një vit më parë.
KUSH ËSHTË REZART TAÇI
Rezart Taçi ka lindur në Ersekë në vitin 1971. Naftëtar i njohur, sipërmarrës dhe menaxher sportiv shqiptar, ai është ish-president i Taçi Oil dhe partner i Vetro Energy. Kryetar i Federatës Shqiptare të Shahut, ka studiuar për drejtësi në Itali, fillimisht në Alessandria dhe më pas në Torino. Për sa i përket karrierës së tij në botën e sportit, me babain e tij Mustafa, fitoi KS Gramozi Ersekën dhe e solli në Kategoria Superiore (Seria A e futbollit shqiptar). Taçi ishte gjithashtu i lidhur me AC Milan, në shtator 2011 Taçi Oil nënshkroi një kontratë si sponsor premium me AC Milan. Jo vetëm kaq, në vitin 2014 ai fitoi edhe klubin anglez të Leyton Orient. Po në vitin 2014 bleu Parmën nëpërmjet Dastraso Holdings Limited, duke vënë president Ermir Kodrën, por rezultatet negative e shtynë Taçin që pas disa muajsh t’ia shesë klubin e futbollit Giampietro Manentit./ Gazeta Shqip
