Search
Close this search box.

Të kapësh virusin me SPAK

NGA ANDI BUSHATI/Mënyra se si Edi Rama po sillet në betejën ndaj pandemisë, po i shndërron votimet e ardhshme në një zgjedhje mes diktaturës dhe kundërshtimit të saj.

Janë së paku dy raste të ditëve të fundit që tregojnë se e vetmja armë që i ka mbetur qeverisë kundër virusit është ta asgjësojë atë me policë, prokurorë dhe SPAK.

Historia e parë ka të bëjë me rrëfimin e dy motrave, Edita dhe Ina Lalo, që humbën në pak orë babain e tyre brenda spitalit infektiv. Nuk e di sa të vërtetë ka në rrëfimin e tyre, se i ati u la të jepte shpirt duke u dridhur nga të ftohtit, nuk jam në gjendje të provoj se sa emocion ka në thirrjet, “paguani edhe para vetëm më nxirrni nga ky ferr”, nuk e di sa të ndikuara nga dhimbja janë apelet: “mos i çoni më të afërmit tuaj tek infektivi”.

Por instinkti më shtyn t’u besoj më parë fjalëve, që një prind u thotë fëmijëve të tij në çastet e fundit të jetës, sesa versionit zyrtar që japin burokratët e shëndetit publik, për të ruajtur rrogën dhe vendin e punës.

Më tepër vëmendje mëtoj t’i kushtoj denoncimit të familjarëve, se urgjenca u shkoi në shtëpi pa pajisjet e nevojshme, se pacienti u la me orë të tëra të priste në ambulancë e në të ftohtë, sesa të qetësohem nga broçkullat e qeveritarëve.

Megjithatë, deri këtu, jemi në qerthullin e impresioneve dhe dy të vërtetave që asgjësojnë njëra- tjetrën. Ajo që është skandaloze, e pisët, kriminale, qëndron në faktin se pasi foli kryeministri Rama, duke i quajtur rrëfimet e tyre emocionale dhe partiake, për vajzat që sapo humbën babain, policia filloi procedimin penal. Pra, në mënyrë të paskrupullt, organet e zbatimit të ligjit nuk u preokupuan për denoncimin e jetës së humbur, por për prishjen e vitrinës rozë të “shëndetësisë që duam”.

Dyshimet janë të forta se i njëjti mekanizëm është vënë në lëvizje edhe për arrestimin e kardiokirurgut të njohur, Edvin Prifti.

Ndoshta vërtet, rreth 400 mijë eurot që u gjendën në apartamentin dhe zyrën e tij, mund të jenë nga ryshfetet e pacientëve, ndoshta në bllokun e kardiokirugut shkruheshin realisht emrat e atyre që duhej të paguanin për t’u operuar, por pa dashur të mbroj as grimcat më të vogla të korrupsionit në mjeksi, sërish në këtë arrestim të bujshëm më lindin disa pikpyetje. Si është e mundur që ndaj Priftit u mor masa e arrestit me burg, kur në përgjime nuk rezultonte as edhe njëherë të vetme që ai të ketë folur me zërin e tij? Pse ai nuk u vu më parë, vetë në përgjim, e pastaj të çohej pas hekurave? Pse për personelin tjetër mjekësor, nuk u ndoq i njëjti standart që goditi atë?

Përgjigjet që të vijnë në mendje për shpjegimin e këtyre dilemave janë dy. Ndodhi kështu sepse për arrestimin e mjekut Prifti foli përpara në media Edi Rama dhe vetëm më pas, u vendos në sallën e gjyqit. Ndodhi kështu se që në ditët e para të pandemisë, Edvin Prifti, ngriti zërin mediatikisht, me tone kritike, për mënyrat se si po menaxhohej beteja me Covid 19. Pra askush nuk mund të vërë dorën në zjarr se ai nuk ka bërë korrupsion, por ama një gjë ngre dyshime të mëdha: i vetmi mjek që u ndëshkua për këtë fenomen, kaq shumë të përhapur, “qëlloi” të jetë ai që guxoi të kritikojë publikisht masat e qeverisë dhe komitetit të ekspertëve në betejën kundër Covid-19.

Dhe pikërisht këtu historia e parë lidhet me të dytën. Ato ngjajnë në përçapjen për t’i mbyllur gojën me polici, prokurori dhe SPAK, kujtdo që nxjerr në pah anën e errët të dështimit të sistemit tonë shëndetësor në betejën me këtë flamë të përbotshme. Në thelb, këto metoda policore, njësoj si pushimi nga puna i mjekut kritik e zhurmëmadh Ilir Allkja, apo si tentativa kriminale për t’u mbyllur gojën atyre që japin fakte për manipulimin e numrit dyfish më të madh të vdekjeve, dëshmojnë se qeveria po mundohet të fshehë përdhunshëm, atë që nuk përballon dot profesionalisht. Pasi ka mbyllur një pakt mëkatarësh me një pjesë militantësh tek spitali infektiv: “ju kyçni gojën për ato që ne nuk ju plotësojmë dot, ne mbyllim sytë për ato që ndodhin në pavion”, rilindja nuk duron dot më asnjë zë që e prish rregullin e omertas.

Duket qartë se në këtë valë të re të pandemisë, kur vendet në spitale janë ezauruar, kur personeli shëndetësor është rraskapitur, kur buxheti nuk ka më fonde për financimin e luftës, pra kur sistemi ka kolapsuar, Edi Ramës i ka mbetur vetëm një armë, represioni ndaj dëshmitarëve të këtij dështimi. Shpresa e tij e vetme ka mbetur, eleminimi me metoda brutale i një të vërtete fatale. Prandaj dhe organet e ligjit nuk shkojnë të hetojnë për kushtet në të cilat e humbi jetën babai i dy vajzave, por procedojnë penalisht këto të fundit, pas direktivës së kryeministrit se ato kanë politizuar vakinë.

Vinkmag ad

Read Previous

Vdekja e Rifat Lalos/Reagon mjekja e akuzuar: Ju tregoj si qëndron e vërteta

Read Next

Pandemia/Pëllumb Pipero del kundër Ministrisë së Arsimit: Shkollat të mbyllen deri në fund të marsit  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular