TIRANË-Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit ka liruar kardiokirurgun Edvin Prifti. Por është lënë në fuqi vetëm atë të pezullimit nga detyra.
Prifti akuzohej për korrupsion dhe pastrim parash duke u lënë në burg që nga 13 shkurti.
Akti korruptiv i mjekut u zbulua gjatë përgjimeve që po kryheshin në Gjykatën e Krujës, në kuadër të një operacioni që vuri në pranga 9 persona, mes tyre edhe gjyqtaren Enkelejda Hoxha.
Gjatë përgjimeve mjeku Prifti rezultoi t’i merrte ryshfet sekretares së Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën e sëmurë nga zemra.
Pas përgjimeve, prokuroria dhe policia kontrolluan banesën e mjekut ku zbuluan se ai kishte 250 mijë euro cash dhe 160 milionë lekë të vjetra. 50 mijë euro të tjera dhe 3 mln lekë iu gjetën në zyrë, para për të cilat avokatët pretenduan se ishin në çantën e Priftit, gati për t’i dërguar në bankë.
Gjithashtu, gjatë hetimeve mjekut i është gjetur një bllok, ku shkruante emrat e pacientëve dhe paratë që kishte marrë prej tyre në shuma që shkonin nga 1 mijë deri në 10 mijë, por nuk dihet ende nëse bëhej fjalë për lekë apo euro.