Biznesmeni Spiro Iljadhi, i njohur edhe me emrin Ermal Iljazi, i cili mbeti i plagosur rëndë pasi u qëllua me rreth 20 plumba para lokalit të tij në rrugën Turizëm-Kanali i Cukës, është ndaluar nga policia.
Gjatë atentatit ndaj tij, breshëria e plumbave kapi edhe turistin shqiptaro-amerikan Marin Jano 33-vjeç, i cili ndodhej në Sarandë për pushime.
“Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në lagjen Nr. 1, Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit S. I. dhe M. J., nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë ndalimi i shtetasit S. I., 35 vjeç, banues në Sarandë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë ndaj personave të tjerë të përfshirë në konflikt, njeri prej tyre i ndaluar dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim nga Policia”, – njofton policia.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.