Elsona, e cila ka ardhur në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” për t’i dhënë një mesazh së ëmës, tregon edhe historinë e dhimbshme të familjes së tyre. Kur ishin ende të vegjël, për shkak të dhunës nga babai, i cili ishte i alkoolizuar, e ëma trembej dhe i merrte fëmijët në ara për të fjetur jashtë.
Ardit Gjebrea: Si e përjetonit ju momentet e kthimit të babait në shtëpi?
Elsona: Ne në fakt e përjetonim keq se qanim shumë që vinte ai, por mami im kur e merrte vesh që babi do të vinte na merrte dhe iknim të flinim përjashta, na mbante jashtë.
Ardit Gjebrea: Po ku përjashtë?
Elsona: Në Shkodër kemi qenë në një fshat ne dhe ka pasur fusha misri e na merrte na fshihte, në pemë, në mal, ajo kishte shumë frikë.
Ardit Gjebrea: Po si flinit, e kalonit natën në fushat e misrit, në bar?
Elsona: Po, e kalonim natën jashtë.
Ardit Gjebrea: Gjatë verës shpresoj, apo edhe në dimër?
Elsona: Jo, edhe në dimër, që ka qenë shumë ftohtë.
Ardit Gjebrea: Po si ia bënit, të flesh natën jashtë në dimër?
Elsona: Na mbulonte mami, me gjethe.
E ëma kthehej në shtëpi rreth orës 4-5 të mëngjesit për të kontrolluar djalin e vogël, i cili ishte ende në djep, e më pas merrte fëmijët e tjerë./Tv Klan
