Ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë për Zërin e Amerikës akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha për marrjen e vendimeve pa u konsultuar me asnjë në parti. Edhe përjashtimin nga Grupi Parlamentar, Berisha thotë se Basha e ka marrë i vetëm dhe ia ka treguar pak minuta para se ta bënte publike.
“Lulzim Basha i komunikoi publikut një vendim që është zero dhe sot, pa asnjë konsultim me asnjeri. Më tha mua 20-30 minuta përpara. I thashë që do të kundërvihem me të gjithë forcën time për të mbrojtur statutin dhe ligjshmërinë. Dhe kjo ndodhi”, tha Berisha për “VOA-n”, transmeton TCH.
“Një sajesë”, e quajti Basha këtë deklaratë. I ftuar në emisionin “Open”, kreu demokrat tha se Berisha jo vetëm po sajon, por po i hap punë vetes, pasi çdo javë trillon sajesa të ndryshme. “Është një tjetër shtrembërim. Shtohen trillime që janë autogola pasi bie ndesh dhe me atë që ka thënë javën e kaluar. Më vjen keq”. Basha thotë se vendimet e së djathtës kanë qenë vendime në grup: “Vendimet për djegien e mandatave janë marrë në mënyrë kolegjiale. Para se të merrej vendimi, është kërkuar me ngulm nga Sali Berisha. Unë nuk jam ankuar asnjëherë. Edhe kur ka qenë puna diçka që duhej mbajtur mbi shpatulla, e kam mbajtur vetë”. Në vitin 2017, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vendosën të djegin mandatet, ndërsa konsideronin të jashtëligjshme qeverinë që drejtohej nga të majtët me kryeministër Edi Ramën. E djathta u rikthye në parlament këtë shtator, kur në kuvend u ulën deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare në 25 prillit 2021.