Deputeti dhe njëherësh kryetari i Komisionit për Edukimin dhe Mediat Agron Gjekmarkaj i cili ende nuk e ka mbushur muajin në Kuvendin e Shqipërisë ku ulet për herë të parë si ligjvënës ka shfaqur një sjellje krejt arrogante me gazetarët. I pyetur në hyrje të Partisë Demokratike nëse është vaksinuar dhe është pro vaksinimit, Gjekmarkaj i është kthyer krejt arrogancë dhe fyerje gazetarit Juxhin Mustafaraj. Ndërsa më pas filloi të gjykojë pyetjet e gazetarëve se si ato ishin të impostuara. Kjo ka sjellë edhe reagimin e gazetarit të politikës në Abc News, Juxhin Mustafaraj i cili shkruan se kështu si e ka nisur Gjekmarkaj s’do jetë e largët dita kur asnjë nga gazetarët të mos i drejtojë mikrofonin.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese sjelljen e Gjekmarkajt lidhet me faktin se ai është zgjedhur edhe kryetar i Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, dhe do të duhet të jetë në pararojë të mbrojtjes së punës së gazetarëve.

Postimi i plotë:
Edukoni kryetarin e Komisionit për Edukimin!
Nuk e ka mbushur ende muajin si deputet. I kanë besuar drejtimin e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvend. E kanë futur në kryesinë e partisë. E kanë bërë edhe drejtues politik të një qarku që gjithnjë ka sjellë në Parlament qytetarë me vlera, siç është Lezha, dhe shikoni se si sillet me gazetarët! Punë të mbarë profesor, por ruaj nervat dhe etikën me reporterët se kështu si e ke nisur s’do të jetë e largët dita që s’do të drejtojë askush mikrofonin! Mbase kështu do t’i bënim edhe një shërbim të mirë publikut, pasi besoj mjaftojnë emisionet e mbrëmjes për të të dëgjuar! Më poshtë sjellja e Agron Gjekmarkaj në tre dalje të ndryshme!
