Atentat me armë zjarri ndaj ish-kreut të komunës së Velipojës, Pashko Ujka! Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme në lagjen “Vasil Shanto”, shumë pranë shtëpisë së shënjestrës së atentatit. Ky i fundit është dërguar me urgjencë në spitalin e Shkodrës, pasi ka marrë plagë në shtyllën kurrizore, por deri më tani nuk dihen detaje lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.
Po ashtu, nuk ka asnjë gjurmë të autorit ose autorëve, ndërsa Policia ka nisur krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tyre. Pashko Ujka ka shërbyer si kryetar i komunës së Velipojës në vitet 2011- 2015 nën siglën e Partisë Socialiste, ndërsa edhe më parë ka qenë pjesë e sulmeve të ngjashme, pasi i kanë sulmuar edhe shtëpinë me armë zjarri. Paraprakisht mendohet se plagosja ka ndodhur për shkak të detyrës, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera.
“Rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes”, njofton Policia.