Ditën e sotme Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan vizitoi Shqipërinë, ku mori pjesë edhe në inagurimin e 522 banesave të reja në Laç, të ndërtuara për familjet që u dëmtuan nga tërmeti i 26 Nëntorit i 2 viteve më parë.
Por vizita e Erdogan përkoi në të njëjtën ditë me 554 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, ndaj kjo u pa edhe si një provokim që po u bëhej shqiptarëve.
I pyetur nga Zëri Amerikës për nëse një koincidencë e tillë përbënte ose jo problem, zëdhënësi i Qeverisë Endri Fuga e cilësoi pyetjen “në rastin më të mirë -të pakujdesshme- dhe në rastin më të keq -provokuese-, sepse nuk ka asnjë lidhje mes Republikës së Turqisë dhe rrethimeve të Krujës apo mes qëndresës së Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut dhe Turqisë së sotme, e cila është anëtare e NATO-s, vend partner strategjik i Shqipërisë dhe mik i mirë në ditë të vështira, siç e tregoi edhe mbështetja e paçmuar për rimëkëmbjen pas tragjedisë së tërmetit.
Prandaj problem në këtë rast nuk përbën vizita e Presidentit të Republikës së Turqisë, po lidhje të tilla krejt pa lidhje, të cilat padashje nxisin urrejtje mes popujve”, u shpreh Endri Fuga.
