Philip T. Reeker, krahu i djathtë i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken i cili shpalli ‘nongrata’ ish-kryeministrin Sali Berisha do të jetë sot në Tiranë.
Philip T. Reeker, i cili mban postin e Ndihmës Sekretari Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike do të takohet me drejtuesit e politikës dhe shtetit shqiptar.
Zyrtari i Lartë i DASH fillimisht pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama për të diskutuar marrëdhëniet SHBA – Shqipëri dhe fusha të tjera të interesit të ndërsjellë. Ndërsa më pas ai do të zhvillojë një takim në selinë blu me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Reeker, i cili e njeh mirë rajonin e Ballkanit, pas vizitës në Shqipëri do të udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut ku do të marrë pjesë në Konferencën “Rruga drejt Prespës”.
Diplomati i SHBA-ve pritet që nga Ohri të deklarojë mbështetjen amerikane për dialogun e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin drejt stabilitetit dhe progresit në mbarë rajonin.
Në Ohër, ai do të takohet me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, Ministrin e Jashtëm Osmani dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar rreth prioriteteve të përbashkëta për Ballkanin Perëndimor.