Mbretëria e Bashkuar po përpiqet të parandalojë që grupet e krimit të organizuar të rekrutojnë adoleshentët, veçanërisht ata që vijnë nga zonat e thella të Shqipërisë veriore.
Qeveria britanike ka nisur një operacion dy vjeçar për të parandaluar moshat 14-16 vjeçare që rrezikohen të përfshihen në bandat e rrezikshme që trafikojnë njerëz dhe kokainë në Mbretërinë e Bashkuar.
Projekti prej 2.7 milionë paund është i përqendruar kryesisht në veri të Shqipërisë ku kanë origjinën shumë prej rrjeteve kriminale shqiptare që veprojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Grupet kriminale nga Shqipëria, të vendosura në gadishullin ballkanik të Evropës Juglindore, janë bërë lojtarët kryesorë në tregun e kokainës prej 3 miliardë paundësh të Mbretërisë së Bashkuar dhe janë përfshirë në tregtinë e fermave të kanabisit. Bandat shqiptare janë gjithashtu të përfshira në trafikun e njerëzve si dhe korrupsionin shtetëror brenda Shqipërisë, shkruan Vice News.
Shumica e shqiptarëve që janë kapur duke punuar në tregtinë e drogës në Britani i përkasin moshës së re.
Sipas Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, bandat e drogës në Shqipëri – një vend me nivele të larta varfërie, papunësie dhe strehim të varfër – po rekrutojnë gjithnjë e më shumë fëmijë .
Përfshirja e tyre në bandat shqiptare në sferën e krimit në Mbretërinë e Bashkuar reflektohet edhe nga fakti se gati një në gjashtë shtetas të huaj në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar është tashmë shqiptar.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar këtë vit arriti një marrëveshje me Shqipërinë për të filluar transferimin e të burgosurve në vendin e tyre për të përfunduar vuajtjen e dënimit. Gjithashtu qeveria britanike synon të këputë rripin e përfshirjes së adoleshentëve shqiptarë në bandat kriminale të cilët shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar nën mbulesën e mijëra emigrantëve legjitimë.
Programi, i cili është kontraktuar me firmën ndërkombëtare të zhvillimit Palladium, synon të “identifikojë dhe mbështesë ata që janë në rrezik për t’u përfshirë në kriminalitet” dhe të ndërhyjë me të rinjtë që rrezikohen për t’u bashkuar me krimin e organizuar.
Fëmijët e identifikuar si të rrezikuar për projektin përfshijnë ata të cilët kanë akses të lehtë në rrjetet kriminale, si p.sh. nëpërmjet anëtarëve të familjes, që kanë probleme me shëndetin mendor ose drogën, të cilët nuk janë të arsimuar dhe që lakmohen nga bandat kriminale dhe që janë të prirur drejtës jetës kriminale. Projekti do të angazhohet me të rinjtë shqiptarë dhe do t’i bindë ata të largohen nga jeta e krimit duke përdorur muzikë, sport, trajnim, praktikë, mentorim dhe këshillim, taktika të përdorura në programe të ngjashme brenda Britanisë së Madhe/Përshtati AgoraNews/