Kartat e identitetit pritej që të skadonin para datës 25 prill, kur datojnë edhe zgjedhjet parlamentare, por ky afat është shtyrë deri më datë 30 Prill.
Vendimi për shtyrjen e këtij afati është marrë në mbledhjen e djeshme të këshillit të ministrave, pas propozimit të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
“Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 25 prill 2021, zgjatet deri në datën 30 prill 2021”, thuhet në vendim.
Vendimi:
PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
Vendosi
Neni 1
Neni 9/2, i ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 9/2
Dispozitë kalimtare
Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 25 prill 2021, zgjatet deri në datën 30 prill 2021.”.
****
Kërkesa për zgjatjen e vlefshmërisë së kartave të identitetit u parashtrua fillimisht nga Partia Demokratike, me qëllim përfshirjen e atyre që u ka skaduar ID në procesin e votimit. Kjo kërkesë u mbështet edhe nga presidenti Ilir Meta, ndërsa mori “Ok” edhe nga kreu i qeverisë Edi Rama.
