A është i kapur kryeministri nga oligarkët?

Ditën e djeshme u bë publik lajmi që tregonte se si Kastrati kishte përfituar nga qeveria e kryeministrit Rama me 13 vjet shtesë pa tender koncesionin e aeroportit të Rinasit.

Mes kompanisë së Kastratit dhe kryeministrit Rama është arritur një marrëveshje sekrete për ndryshimin e kontratës së koncesionit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, duke e zgjatur kohëzgjatjen e saj nga 22 vjet në 35 vjet.

LEXO EDHE:

Duke iu referuar këtij rasti edhe por edhe akuzave të shumta se qeveria është e kapur nga oligarkët dhe klanet e ndryshme të cilat ndikojnë në vendimmarrjen e qeverisë, kryeministri Edi Rama theksoi nga qyteti i Korçës se këta që opozita i quan ‘oligarkë’, janë kontribuues të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit, duke përjashtuar ndikimin e tyre në vendimmarrjen e qeverisë .

Edi Rama sot nga Korça: Duhet të shohim faktet dhe këtu ka një problem të madh të shtrembërimit të fakteve. Keni zgjedhur një sistem ku padiskutim do kemi njerëz shumë të pasur dhe do kemi diferenca të mëdha mes tyre dhe tjerëve. Mund të jenë këta që janë, mund të jenë të tjerë komplet, nuk kanë rëndësi emrat. Çështja është e thjeshtë, këta njerëz shumë të pasur, e para, a e krijojnë, a e zhvillojnë pasurinë e tyre në rrugë të ligjshme, e dyta, këta njerëz shumë të pasur a i kthejnë shoqërisë në formë kontributesh atë që i detyrohen, dhe e treta këta njerëz shumë të pasur a janë në punën e tyre apo bëjnë edhe punën e qeverisë, në sensin e influencës mbi qeverinë. Përdoret fjala oligark, por kjo fjalë nuk lidhet thjesht me sa para ke. Por sa pushtet ke mbi vendimmarrjen, që do të thotë pushtet okult, jo legjitim, pushtet i ushtruar përmes influencës tënde si aktor në treg, jo përmes mandateve të përfaqësimit. Në këtë sens nuk ka oligarkë në Shqipëri, sepse nuk ka në Shqipëri njerëz të pasur që marrin vendime për llogari të qeverisë. Nuk ka në Shqipëri ndonjë që të më detyrojë mua apo qeverinë tonë që të marrim vendimin që shkon në interes të tij dhe në dëm të interesit publik. Në Shqipëri para se ne të vinim në qeveri paguanin më pak taksa dhe fitonin më shumë. Ky është fakt. Ata kishin një taksë të sheshtë njësoj si furrat e bukës në Korçës 10% dhe sot ata taksohen 15%. Tjetër fakt, në këto 7 vjet hapësira e kompanive për të pasur akses në punët publike është shumëfishuar. Nëse para 7 viteve numri i atyre që kishin akses në fonde publike për të bërë punë, por që kalonin nga kanali i konkurrencës përmes tenderave ishte X, sot është Y, shumë më i madh se X. Ka shumë aktorë sot në treg, sesa kishte dje. Duhen marrë këta ‘oligarkët’ dhe duhet parë çfarë kanë dhënë dhe çfarë kanë marrë, se flitet për ta dhe duket sikur flitet për ca njerëz që janë si ata personazhet e filmave të realizimit socialist. Në fakt, këta janë punëdhënësit më të mëdhenj të Shqipërisë, pra mbajnë në punë dhjetëra mijëra njerëz. Këta janë kontributorë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, me taksa.

Edi Rama flet për oligarkët

Mirëpo, një raport i Transparency International i dalë në muajin dhjetor të vitit të kaluar, që pasohet nga raporti i para dy ditëve, konstaton se Shqipëria është një nga vendet e Ballkanit me nivelin më të lartë të korrupsionit si dhe ndodhet nën kapjen e shtetit nga klanet e fuqishme.

Sipas raportit, klanet në Shqipëri ndikojnë në politikë dhe qeverisje. Ndikimi i tyre pasqyrohet në sistemin e partive politike, ndërsa ndërhyrja e tyre në institucionet shtetërore reflektohet edhe te nepotizmi që ekziston në administratën publike shqiptare.

Një ligj i miratuar në Shqipëri i ka dhënë ANK Sh.PK, një kompani pranë Partisë Socialiste në pushtet, një kontratë jashtëzakonshëm për ndërtimin e një rruge 17.2 km. Kostot e ndërtimit pritet të jenë gati 300 milion €, mbi dyfishin e shumës që qeveria kishte parashikuar”, konstaton raporti i cili i referohet raportimi të medias shqiptare.

Kaq mjafton për të evidentuar se cili është roli i klaneve dhe oligarkëve në qeverinë e kryeministrit Rama./Agoranews.al/

Vinkmag ad

Read Previous

Artan Hoxha paralajmëron Bashën: Kujdes o bos, po ta fusin!

Read Next

Edi Rama dhe oligarkët

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular