Bota e sotme e artit është plot me zonja dinamike, që bëjnë punë unike dhe sfiduese. Saranda Xhemajli, një nga piktoret e reja, më moderne dhe më të spikatura në zhanrin e autoportretit, e cila frymëzon me pikturat e saj, që i realizon në detaje, e të cilat dominohen nga ndjenja e forcës dhe dinjitetit, me alegori dhe me një dashuri të thellë për artin, na fton në botën e saj të ngjyrave të ndezura dhe plot gjallëri.
Vajza e talentuar, e cila lindi dhe u rrit në jug të Kosovës, në qytezën e Vitisë, pas përfundimit të shkollës fillore dhe të shkollës së mesme – drejtimi Matematikë dhe Informatikë në vendlindje, e pasionuar pas artit, vendos të studiojë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Universitetin e Prishtinës. E diplomuar për pikturë, në thelb, stili i saj artistik ndikohet dhe dominohet kryesisht nga portretet e zonjave me veshje tradicionale shqiptare. Një revolucionare më vete, e cila, përmes aftësive të saj si piktore, shemb paragjykimet për gruan provinciale dhe forcon imazhin e gruas kosovare në përgjithësi, e cila evolucionin e saj artistik ia dedikon popullit shqiptar.
‘Kombi im, siç dihet, mbart tradita dhe vlera kulturore të trashëguara brez pas brezi. Edhe unë jam rritur si shumë të tjerë në këtë frymë, e cila ka pasur ndikim në krijimtarinë time dhe zhvillimin e saj me nota folklorike, të cilat i bashkohen figurës së femrës. Gjithsesi, në piktura ndihet edhe mënyra e trajtimit të veprës, e cila është mjaft bashkëkohore por, në paraqitjen e figurës, e ndërthurur në koncept me tradicionalen. Unë mundohem të ruaj traditën, por edhe të mos e humbas evolucionin tim si artiste dhe ritmin që ka arti sot, në ditët moderne,’ shprehet Saranda.
Një elegancë formale e karakterizon punën e saj, e cila shpesh fokusohet në ndërveprimin midis iluzionit dhe së vërtetës. Në fakt, ku qëndron frymëzimi i saj për pikturë? ‘Më pëlqen arti figurativ, sidomos pjesa e portreteve. Në pikturat e mia mbizotërojnë kryesisht femrat, heronjtë e ndryshëm dhe portretet e fëmijëve. Përtej pjesës figurative, në portretet e mia ndihet edhe gjendja ime emocionale e momentit, nëpërmjet elementeve që unë vë përreth portreteve dhe në këtë mënyrë portretet marrin jetë, duke përcjell mesazhin edhe te shikuesit,’ zbulon ajo.
Veprat e Sarandës, njërës nga artistet më emocionuese të kohës, duken oqean ngjyrash, që shtrihet në çdo centimetër të pikturës. Në imagjinatën e saj, shpalosur në pikturë, gruaja shqiptare duket hyjnore dhe pothuajse mbretërore. Frymëzuar nga struktura e pikturave dhe qëndrueshmëria e tyre, ka shumë aspekte kulturore të portretit të gruas që ajo i ka përshtatur në mënyrë moderne, ka thelluar kuptimin e artit dhe kulturës në përgjithësi, ndaj, thotë: ‘Aktualisht fokusi im është tek pjesa e portreteve, ku dallohet figura femërore dhe shpeshherë krijimtaria ime ndërthuret edhe me figura historike kombëtare. Ideja për Femrën Shqiptare ka filluar natyrshëm, nga fotoja ime me veshje kombëtare, pastaj kam dashur ta zhvilloj si koncept, ku, përmes tyre shfaqen arti, kultura, tradita dhe historia jonë kombëtare. Pjesa e portretit me sy të mbyllur ka filluar si përshkrim i gjendjes emocionale të femrës, e cila, edhe pse me sy mbyllur, ajo flet dhe përçon mesazhe dhe kështu përfaqëson fuqinë e saj. Struktura dhe qëndrueshmëria ndihet shumë në veprat e mia për arsye se kam dëshirë që femrën ta përcjell me forcën dhe bukurinë e saj njëkohësisht. Besoj se frymëzimin e gjej më së shumti brenda vetes si artiste, por edhe si femër në mënyrën se si i përjetoj gjërat dhe si ballafaqohem me to. Qëndrimi i heshtur dhe sytë e mbyllur besoj që më së miri e përcjellin qetësinë e natyrës femërore dhe durimin e saj, ndaj asaj çka ndodh përreth, ku edhe unë gjej frymëzimin tim për të krijuar.’
Lidhur me fuqinë e artit dhe përmasat epike që ka për të ndikuar në ndryshimet shoqërore dhe për faktin se ekzistojnë artistë që sfiduan shoqëritë dhe krijuan vepra krejtësisht inovative, për të zbatuar dhe për të ndryshuar botën për të mirë, Saranda shprehet: ‘Ka shumë piktura të cilat ndryshuan, kishin një rol apo një mesazh në shoqëri, por do t’i veçoja të pëlqyerat e mia. Është “Guernica” nga Pablo Pikaso, e cila është piktura më e fuqishme kundër luftës në histori dhe “Las Meninas” nga Diego Velasques, e cila ngre pikëpyetje rreth realitetit dhe iluzionit dhe krijon një marrëdhënie të pasigurt ndërmjet shikuesit dhe figurave të përshkruara. Ka shumë artistë që më pëlqejnë për ato që krijuan dhe ndërtuan identitetin e tyre në art, prandaj arti është një mënyrë e të jetuarit për mua, pra unë jetoj me ato që krijoj dhe njëkohësisht frymëzohem nga ngjarjet që zhvillohen rreth jetës sime.’
Ndonëse ekziston një numër artistësh, të cilët e inkurajojnë me atë që ata krijojnë, Saranda, specifikisht nuk veçon askënd, megjithatë, kur bëhet fjalë për pikturën dhe zhanrin në të cilin hyn puna e saj, artistja e talentuar shprehet: ‘Arti im është një ndërthurje mes Realizmit dhe Modernes, ku preken elemente historike kombëtare, por që nuk është në dëshirën time përcaktimi ose kornizimi i krijimtarisë sime në një stil të vetëm, thjesht dua të jem e lirë në mënyrën se si e shoh unë artin.’
Që nga fillimi i karrierës, Saranda e cila jeton dhe vepron në qytetin e saj të lindjes, gradualisht, por me hapa të sigurt, po e zhvillon talentin e saj në artin e pikturimit, duke e thelluar dhe duke e përsosur në vazhdimësi stilin e saj të punës, por në asnjë rast duke mos e lënë pa e shfaqur shpirtin e gjallë dhe të lirë të gruas shqiptare. Puna e saj e shkëlqyer e shndërroi në një nga artistet interesante, e cila, në ditët e sotme të kohës moderne, veprat e saj, tek artdashësit pëlqen t’i prezantojë përmes formës digjitale. ‘Karriera ime është diçka që është zhvilluar gradualisht, ku një pjesë e krijimtarisë sime është e shpalosur në rrjetet sociale, të cilat mundësojnë dhe janë dritare për zhvillimin e artit në ditët e sotme. Siç dihet, përpos pjesës së ekspozitave nëpër galeri, tani një nga hapësirat kryesore janë rrjetet sociale, ku shumë artdashës mund t’i shikojnë dhe të marrin informacione mbi pikturat. Gjatë rrugëtimit tim artistik, kam realizuar dy ekspozita personale dhe disa kolektive. Gjithashtu, kam prezantuar punën time në Berlin, por në të ardhmen besoj se do të realizoj projekte të tjera jashtë Kosovës, të cilat kanë ngelur pezull për shkak të pandemisë Covid-it. Po ashtu, për të qenë sa më pranë artdashësve, tani kam ndërtuar edhe faqen time të uebit, ku kam publikuar pikturat dhe aksesorë të ndryshëm,’ – shprehet artistja e talentuar.
Në fakt, bota magjepsëse e artit, ekziston për dhjetëra mijëra dekada, madje, në historinë e artit, thuhet se piktura e parë është realizuar rreth 40,000 vjet më parë. Artistja e shquar, veprat e së cilës janë mishërim i madhështisë së artit, konsideron se në ditët e sotme po jetojmë në një liri artistike, ku secili artist shpalos krijimtarinë e vet, mesazhin dhe ideologjinë e artit në forma të ndryshme.
Kur rikthehemi të diskutojmë lidhur me faktin që artistët duan të jenë diplomatë dhe mbrojtës të përvojës së tyre, ndaj shumë sekrete nuk pëlqejnë t’i bëjnë publike, Saranda pa ngurrim rrëfen për përvojën dhe sfidat gjatë lundrimit në botën e artit: ‘Për mendimin tim, arti duhet të jetë sa më afër me shikuesit dhe kjo është një nga arsyet që nuk kam mbajtur rezerva për mënyrën e punës dhe krijimit. Nuk jam ngurruese, dihet që rrugëtimi ka edhe vështirësitë e veta, të cilat më kanë ndërtuar për të qenë artistja që jam sot. Një ndër sfidat kryesore është përqendrimi ndaj tregut dhe kërkesës për krijimtarinë time dhe kërkesa e madhe e njerëzve më ka bërë që arti im të paraqitet edhe në versionin e printeve, për arsye se çdo vepër është unike dhe realizohet vetëm një herë. Çdo vepër për mua lind si frymëzim i momentit dhe gjendjes sime emocionale. Natyra e pikturës sime kërkon kohë për t’u realizuar, zakonisht rreth 3muaj, punoj me ngjyra vaji dhe shpesh, për të nxjerrë detajet që dua, më duhet të pres për këto procese. Ndërsa, për sa i përket avancimit të karrierës, unë mendoj se mënyra më e mirë e planifikimit për të ardhmen, është të përfitosh sa më shumë nga e tanishmja,’ – shprehet talentja e sinqertë dhe entuziaste, e cila di të ecë përpara, të zhvillojë dhe të avancojë karrierën e saj në industrinë e pikturimit, falë punës dhe qëllimeve, të cilat i shfaq pa arrogancë.
Bota narrative, e krijuar në pikturat e Saranda Xhemajlit, emocionon, nxit imagjinatën, tejkalon të zakonshmen, gdhend rrugën e saj të gjallë, me plot ngjyra brenda sferës së arteve pamore.