Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu shprehet se ai e ka mbështetur Bashën deri në momentin që përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar. Ai tha se Basha me këtë vendim bëri një tradhti të madh ndaj demokratëve dhe theksoi se ai është i marrë peng.
Balliu: Unë e kam mbështetur deri para pak ditësh Bashën, deri kur një ditë në mënyrë të çuditshme ndryshoi ato që kishte besuar në 8 vite. Unë nuk mund të pranoj që kryetari i PD-së nuk merr dot vendime, sepse përndryshe është i marrë peng. Njerëzit që nuk marrin dot zgjedhje janë marrë peng. Ndërkohë sot partia sot është e përçarë. A e ndihmoi ky vendim opozitës? Jo, përkundrazi e goditi shumë opozitën. Berisha ka qenë zëri më i fortë denoncues i opozitës.
Berisha është magnet për demokratët. Nëse thua se nuk mbledh kuvendin, atëherë je peng. Nuk e bën një gjë të tillë sepse ke frikë nga anëtarët. Kjo është një tradhti e madhe, ndaj demokratëve dhe të gjithëve atyre që e kanë mbështetur Bashën. Ai me atë vendim ka tradhtuar gjithë opozitarët në vend. Prandaj ai nuk mund të rrijë aty sepse nuk është më një figurë bashkuese. Balliu shtoi se foltorja që ka ngritur Sali Berisha ka për qëllim sjelljen e pluralizimit në PD dhe bashkimin e të gjithë demokratëve për tu përballur me qeverinë kriminale të Edi Ramës.
“Ndërsa foltorja që ka ngritur Sali Berisha ka për qëllim sjelljen e pluralizimit në PD dhe bashkimin e të gjithë demokratëve për tu përballur me qeverinë kriminale të Edi Ramës. Partia nuk është një zyrë apo një vulë, por janë vlerat dhe parimet. Këto sot janë në shesh me Berishën. Kuvendi do të mblidhet sipas statusit. Basha nëse do të vijë ose jo, për të dhënë argumentet e tij. Sepse kush ka frikë nga diskutimi, ka frikë nga pluralizmi”, ka theksuar Balliu.