Sali Berisha nga Vlora u bëri thirrje demokratëve që të ngrihen në këmbë për të rikthyer PD-në në kohën e lavdisë. Por cili është qëllimi i vërtetë i lëvizjes së tij?
Ish-kryeministri e tha qartë se synon rikthimin. “Kisha vendosur të mos kthehesha kurrë, por rrethana të tilla të zgjojnë edhe nga varri po të jesh për t’i dalë zot. Po. Po” tha ai.
Akuzat kundër Lulzim Bashës nuk munguan edhe sonte në Vlorë.
“Tani si asnjëherë tjetër në 30 vite jemi në një moment, de facto të asgjësimit të pluralizmit. PD tani vendos pa pyetur asnjë parim dhe statut dhe deklaron se Kuvendi kombëtar nuk do të mblidhet pavarësisht se do të mblidhen firmat. Çfarë do të thotë kjo? Se pluralizëm në Shqipëri nuk ka. Shtylla kryesore, opozita, nuk ka forme, statut dhe anëtarësi, por vetëm një njeri që thotë nuk pyes për forumet dhe anëtarët. Kjo është fasada më e shëmtuar e pluralizmit. Ndaj edhe kushtrimi është në këmbë të gjithë për mbrojtjen e pluralizmit” tha Berisha.
Ai u ndal edhe te situata e tensionuar në veri të Kosovës. “Rezultatet e nismës “Ballkani i Hapur” janë tanket serbe në kufi me Kosovën dhe heshtja e varrit. Kryetari i PD-së hesht. Ballkani i Hapur vjen në kundërshtim të qartë me Nismën e Berlinit. Do të bëjmë gjithçka të bashkohemi, të ngrihemi në këmbë. Së pari kjo “Foltore” ka mision bashkimin e PD-së, së dyti t’i rikthejë zemrën saj, liria” tha më tej Berisha.
