I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka lëshuar sërish një mesazh të fortë për të korruptuarit në rajonin e Ballkanit dhe veçanërisht ata që janë shpallur nongrata siç është edhe rasti i ish-kryeministrit Berisha.
Duke folur për agjencinë malazeze MINA, Escobar tha se “SHBA nuk do të hezitojë të përdorë sanksionet për të dërguar një mesazh të fortë për aktorët e korruptuar dhe destabilizues në rajon”
Ai theksoi se politikat e interesave të ngushta kanë penguar përparimin e rajonit në të kaluarën, duke mos bërë asgjë për interesat e njerëzve në Ballkanin Perëndimor.
“Në mënyrë që Mali i Zi të bëjë përparim konkret në rrugën e tij euro-atlantike, liderët politikë, shoqëria civile dhe të gjithë ata që besojnë në të ardhmen evropiane të vendit duhet të punojnë së bashku për të krijuar një shoqëri të qytetëruar”, tha Escobar .
Ai shpjegoi se në një shoqëri të tillë, feja, kombësia dhe përkatësia etnike nuk do të përcaktojnë nëse dikush ndihet i sigurt dhe anëtar i barabartë i komunitetit.
I pyetur se si e sheh ai Memorandumin e nënshkruar nga Lëvizja Qytetare URA, Civis, Partia Popullore Socialiste dhe partitë e pakicave, Escobar tha se SHBA nuk ka asnjë qëndrim zyrtar mbi marrëveshjen politike. “Megjithatë, ne mbështesim ata që janë për një Mal të Zi sovran, gjithëpërfshirës dhe demokratik, i cili është i pozicionuar në institucionet euroatlantike”, tha Escobar.
I pyetur nëse të gjithë aktorët politikë në Mal të Zi ndajnë këto vlera, Escobar tha se “do të thoshte jo”
“Në Mal të Zi, si në vendet e tjera të rajonit, ne jemi edhe një herë dëshmitarë të dëmit të shkaktuar nga aktorët që manipulojnë në mënyrë cinike çështjet e identitetit për qëllimet e tyre”, përfundoi Escobar, duke shtuar se SHBA është e gatshme të mbështesë Malin e Zi në arritjen e potencialit të tij të plotë. .