Policia ka shpallur në kërkim dy persona, një 36 vjeçar bashkë me të dashurën e tij të cilët i morën një vajze shumë të mëdha parash dhe bizhuteritë e floririt.
Viktima që ka rënë pre dy autorëve është në fakt kushërira e 36 vjeçarit, i cili së bashku me të dashurën e tij e kanë futur në kurth vajzën duke i marrë çantën me lekë dhe Euro si dhe bizhuteritë e floririt.
E dashura e ideatorit të grabitjes, ka udhëtuar me kushërirën e 36 vjeçarit që nga Peshkopia duke u paraqitur si udhëtare në linjën e furgonit me të cilin do të udhëtonte shtetasja K. Gj. Pasi ka udhëtuar disa orë, ka zbritur në Tiranë, duke marrë edhe valixhen, me pretendimin se ishte e saj.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhet nga Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe dokumentohet me prova ligjore, vjedhja e një shume të konsiderueshme parash dhe bizhuterish floriri.
Shpallen në kërkim dy autorët e vjedhjes. Sekuestrohen 1.400.000 lekë të rinj, 2770 euro, 340 paund dhe bizhuteri floriri. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar në provat ligjore të grumbulluara, bënë shpalljen në kërkim të shtetasve:
– L. D., 36 vjeç banues në Tiranë, dhe Q. H., 26 vjeçe, banuese në Peshkopi, Dibër. 36-vjeçari, pasi ka marrë informacion se kushërira e tij, shtetasja K. Gj., do të udhëtonte nga Peshkopia në drejtim të Tiranës, me një valixhe me para, në bashkëpunim me të dashurën e tij, shtetasen Q. H., ka organizuar vjedhjen e valixhes. Shtetasja Q. H. është paraqitur si udhëtare në linjën e furgonit me të cilin do të udhëtonte shtetasja K. Gj. dhe pasi ka udhëtuar disa orë, ka zbritur në Tiranë, duke marrë edhe valixhen, me pretendimin se ishte e saj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.400.000 lekë të rinj, 2770 euro, 340 paund dhe disa bizhuteri floriri. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.