Nga Fatjon Malaj/Javët e fundit, e gjithë bota po ndjek me vëmendje dy kriza tensioni të cilat mund të çojnë në një luftë, fillimisht kriza e refugjatëve në kufirin Bjellorusi-Poloni dhe manovrat ushtarake në kufirin Ukrainë-Rusi.
Në vend të pyetjes se si u arrit deri në këtë pikë, duhet shtruar pyetja nëse kjo krizë është një përsëritje e asaj që ndodhi në prill 2021?.
Në atë kohë, përsëri si sot Rusia kreu dërgesa ushtarake në Krime dhe rajonin e Donbasit në lindje të Ukrainës, duke parë veprimet shtrohet pyetja “A po përgatitet Rusia të pushtojë përsëri Ukrainën?”.
Megjithatë, Rusia bllokoi forcat e saj pas një telefonate midis presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentit rus Putin.
Në fakt, kjo pikë në të cilën është arritur është një përsëritje e lojës së ruletës ruse të Putin.
Është pjesë e politikës së jashtme të Federatës Ruse për të destabilizuar shtetet kombëtare që formuan Komonuelthin e Shteteve të Pavarura, i cili u krijua në vend të Bashkimit Sovjetik të shembur pas Luftës së Ftohtë.
Sipas politikës së afërsisë periferike, shohim se nën administrimin e Putinit, Rusia fillimisht krijoi zona konflikti brenda territorit ish-sovjetik, më pas i ktheu këto konflikte në konflikte të ngrira dhe duke përdorur një strategji hibride lufte për qëllime të brendshme dhe të jashtme e i ktheu në konflikte të nxehta sipas synimeve e politikave më shumë për interesa populiste se sa strategjike. Zbatimi i kësaj politike ishte edhe pushtimi i Krimesë. Në ditët e sotme, Rusia po përballet me probleme të ndryshme në vend. Fakti që Alexey Navali, i cili njihet për kundërshtimin e tij ndaj Putinit dhe aktualisht është në burg, hyri sërish në grevë urie në nëntor 2021 dhe po merr përkrahje e mbështetje të gjerë si brenda dhe jashtë, ka shtyrë administratën e Kremlinit të kryejë disa lëvizje në politikën e saj kryesishë të brendshme.
Në këtë tablo shihet një populli rus, i cili shtypet nën korrupsion, varfëri dhe ndalime për shkak të kundërshtive ndaj pushtetit, fakti që numri i vdekjeve ditore në muajin e fundit nga COVID-19 është shtuar ndjeshëm, fakti që situata e brendshme është shumë e përkeqësuar rriti kërkimin e Moskës për armiq të jashtëm.
Objektivat më të lehta në këtë kërkim janë Perëndimi dhe aleatët e tij më të ngushtë Polonia dhe Ukraina.
Si një mjeshtër shahu Putin po si në politikën e brendshme edhe në politikën e jashtme po përdor dobësitë e aleancës perëndimore për të arritur qëllimin e tij të dëshiruar ngadalë pjesë-pjesë me durim dhe metodikë.
Pasi ka humbur Republikat Balltike, një nga tokat ish-sovjetike që ajo e sheh si oborrin e saj, ndaj aleancës perëndimore dhe që Rusia nuk dëshiron kurrë të humbasë është Ukraina, të cilën e sheh si jetike përsa i përket sigurisë së saj kombëtare, gjeopolitikisht, gjeostrategjikisht dhe gjeoekonomike. Pushtimi rus i rajonit të Donbasit të Ukrainës dhe Krimesë ndodhi gjithashtu pas ngjarjeve që nisën pasi Ukraina arriti në pikën e nënshkrimit të një marrëveshjeje asocimi me BE-në në vitin 2014.
Është e qartë se Moska, e cila tashmë ka pushtuar Krimenë dhe Donbasin, mendon se do të fitojë nëse pushton një pjesë tjetër të Ukrainës. Në një rast të tillë, Rusia së pari do të ketë gjetur një zgjidhje për vështirësitë e saj të brendshme politike.
Së dyti, do të ketë ulur presionin ndaj liderit bjellorus, Aleksandër Lukashenko, i cili ka qeverisur Bjellorusinë për 26 vjet dhe njihet si “diktatori i fundit i Evropës”, të cilin Evropa nuk e sheh më si legjitim pas zgjedhjeve të diskutueshme të 2020 dhe do të tërheqë vëmendjen e opinionit publik botëror nëpërmjet një lufte me Ukrainën.
Së treti, do të bllokojë daljen e Ukrainës në Detin e Zi dhe do të ndërpresë hyrjen e Ukrainës në det, me një sulm ndaj qyteteve portuale si Maripol dhe Odessa, duke përdorur flotën e Detit të Zi.
Së katërti, do të destabilizojë Moldavinë duke kërcënuar rajonin e shpallur të pavarur të Transnistrisë, të dominuar nga separatistët pro-rusë.
Së pesti, derisa të nënshkruhet marrëveshja e armëpushimit, ajo do të ketë bërë hapin e parë për ta bërë Ukrainën një federatë de facto të ndarë dhe të lirshme për në të ardhmen.
Së gjashti, sigurisht që do të kishte penguar Ukrainën e paqëndrueshme dhe të pakontrollueshme të bashkohej me NATO-n dhe BE-në.
Sipas burimeve ukrainase, numri i ushtarëve dhe pajisjeve të dislokuara nga ushtria ruse në veri, lindje dhe perëndim të kufijve të Ukrainës (Krime) është si më poshtë: 115,000 ushtarë, 40 grupe taktike batalioni, 1,200 tanke, 2,900 automjete të blinduara, 1,600 sisteme artilerie, 28 komplekse raketore, 330 avionë, 240 helikopterë, 75 anije, 6 nëndetëse.
Pyetja që duhet bërë për këtë shfaqje masive të fuqisë ushtarake mund të jetë: A do ta mbrojë NATO Ukrainën?
Në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s të mbajtur në Riga, kryeqyteti i Letonisë, e cila është anëtare e aleancës, në fund të nëntorit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, duke përdorur deklarata shumë të qarta dhe koncize për qëndrimin agresiv të Rusisë, tha se çmimi i çdo agresioni të ardhshëm nga ana e Rusisë kundër Ukrainës do të kishte pasoja të rënda ekonomike dhe politike. Sekretari i Përgjithshëm nënvizoi gjithashtu se nuk duhet të ketë keqkuptime apo përllogaritje të gabuara për vendosmërinë e NATO-s.
Megjithatë, Stoltenberg gjithashtu ka deklaruar disa herë se duke qenë se Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, nuk mund të garantohet se Ukraina do të mbrohet si çdo vend tjetër anëtar i aleancës. Në fakt, pika e arritur e tregon këtë. Pak vende e mbështesin Ukrainën ushtarakisht. Në vend të ndihmës dhe shitjes së pajisjeve ushtarake Ukrainës, preferohen sanksionet ekonomike dhe financiare dhe reagimi politik kundër Moskës. Aleatët e NATO-s ende nuk kanë rënë dakord për kujdesin e duhur që duhet të tregojnë, e lëre më se si t’i përgjigjen mobilizimit ushtarak rus.
Pavarësisht se po shihet mundësia reale e skenarit më të keq, ku ushtria ruse përgatitet dhe planifikon të ri-pushtojë Ukrainën më gjerësisht dhe seriozisht, aleatët e NATO-s nuk janë në të njëjtat pozita e qëndrime rreth këtij kërcënimi.
Për shembull, vendet e ish-Bllokut Lindor dhe ish-Bashkimit Sovjetik shfaqin reagim më të fortë ndaj agresionit rus. Vende të tilla si Republikat Baltike, Polonia, Çekia, Hungaria dhe Sllovakia janë në favor që NATO të tregojë dhëmbët e saj.
Nga ana tjetër, vendet e Evropës Perëndimore, të rajonit skandinav dhe të Mesdheut, po ndjekin me kujdes një politikë dy hapash një hap përpara dhe një hapi prapa dhe po zbatojnë politika që humbin gjak çdo ditë përballë politikës ruse të sigurisë.
Megjithatë, aleatët transatlantikë duhet të zbatojnë një strategji “përgjigjeje të menjëhershme” më realiste, më të guximshme dhe të bazuar në vend se sa zbatimi i sanksioneve ndoshta efektive.
Për këtë gjëja e parë që duhet bërë është anulimi i projektit Nord Stream 2, i cili do të transportojë gaz natyror nga rajoni i Arktikut të Rusisë në Gjermani nën Detin Baltik dhe që do të dyfishojë sasinë e gazit natyror që Gjermania do të marrë nga Rusia.
Në kontekstin e vendosjes së forcave mbrojtëse parandaluese, rritja masive ushtarake e NATO-s në Poloni, Rumani dhe Sllovaki mund të ketë gjithashtu një efekt parandalues. Siç ndau në Twitter Ian Brzezinski, ekspert në Këshillin Atlantik, djali i ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Zbignieë Brzezinski, mësimet duhet të nxirren nga strategjia e Presidentit Carter në vitin 1980 kur sovjetikët u bllokuan në pushtimin e Polonisë.
Ky mësim është ky: sanksionet tregtare, energjitike dhe financiare duhet të hiqen nga leksiku jo vetëm i SHBA-së, por edhe i Gjermanisë dhe Francës, dhe në vend të kësaj duhet të vendoset një forcë e madhe ushtarake në krahun lindor të NATO-s.
Ukraina duhet të furnizohet me armë efektive të teknologjisë së fundit dhe me atë vend duhet të zhvillohen stërvitje të përbashkëta ushtarake. Duhet thënë qartë se çmimi që Rusia do të paguajë në rast të një sulmi ndaj Ukrainës do të jetë në nivelin më të lartë. Por një gjë mungon që të ndodhë e gjithë kjo: vendosmëria politike dhe vullneti.
Shoqëria ukrainase mendon se Putini po u bën presion me armë në kokë për të bërë lëshime. Nëse administrata e Uashingtonit do ta braktisë Ukrainën, Presidenti amerikan do të dobësohet politikisht dhe diplomatikisht, besueshmëria e Amerikës do të ulet dhe marrëdhëniet amerikano-ukrainase do të dëmtohen. Pritshmëria se shoqëria ukrainase të bëjë përsëri sakrifica për të qetësuar Putinin mund të çojë në përfundime të gabuara.
Duhet parë se Putini nuk po bën blof në lojën ruletë ruse të Moskës dhe duhet të parandalohet pushtimi i dytë i Ukrainës nga ushtria ruse pas Krimesë dhe Donbasit. Si rezultat, askush nuk dëshiron një konflikt të armatosur me Rusinë. Por duhet kuptuar gjithashtu se është e nevojshme të qëndrohet krah për krah me Ukrainën dhe të reagohet kundër atij që po e krijon këtë luftë për të kuptuar këtë anakronizëm nëse është “bllof” apo “ruletë ruse”.