Search
Close this search box.

Dezinformimi si malinjitet për dialogun

NGA AKRI ÇIPA/Muajin e kaluar, zyrtarët e Bashkimit Europian u dakordësuan me përfaqësuesit serbë për të rifilluar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Maj. Por, pas refuzimit të kryeministrit Albin Kurti për t’u angazhuar për një datë të pakonsultuar me palën shqiptare, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë në pritshmërinë e rifillimit zyrtar.

Për fat të keq, ndërkohë që bisedimet ndërmjet palëve ende nuk kanë filluar në mënyrë të drejtpërdrejtë, një fushatë e mirëfilltë dezinformimi është përpjekur të mbulojë Ballkanin. Ndonëse implikimet e saj duket të jenë më të thella, duket sikur kjo fushatë destruktive ka për synim të zhbalancojë dialogun dhe të transformojë natyrën dhe objektivat e tij.

Në fillim ishte shfaqja e të ashtuquajturit “non-paper slloven”, një letër jo-zyrtare që paraqiste një propozim radikal për ndryshimin e kufijve të Ballkanit. Objektivi i tij i deklaruar ishte “zgjidhja e çështjeve” të mbetura pezull. Megjithëse ekzistenca e letrës u pranua eventualisht, autorësia mbeti e kontestuar dhe e mohuar nga autoritetet sllovene.

Pas kësaj “rrufeje” të parë në qiell të hapur, në mediat e Prishtinës u publikua një tjetër dokument i pakonfirmuar. Origjina e kësaj letre iu mvesh, në mënyrë përgjithësuese, Francës dhe Gjermanisë, pavarësisht se të dyja vendet zyrtarisht e mohuan atë. Ky “non-paper” i dytë fokusohej vetëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjen finale të tyre.

Në bazë të këtij propozimi qëndronte ideja e arritjes së normalizimit të marrëdhënieve dhe e pranimit të pavarësisë së Kosovës nga Beogradi. Por, kjo do të ndodhte pas pranimit nga Prishtina të një sërë pikave të cilat jepnin status ekstraterritorial për Kishën Ortodokse Serbe, vinin në dyshim funksionalitetin e shtetit dhe mohonin sovranitetin e Kosovës në veri të territorit të saj. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se do e analizonte dokumentin dhe u shpreh i hapur për shumicën e pikave të saj, por kundërshtoi paraprakisht pikën për njohjen efektive të Kosovës.

Ndryshe nga këto dy dokumente, ku u shfaq si komentues i vonë i iniciativave që qarkullonin tashmë, presidenti serb mori përsipër të trumbetonte personalisht një lajm të tretë me origjinë të dyshimtë. Këtë e bëri këtë muaj duke deklaruar publikisht se ishte informuar nga “burime të inteligjencës” se një fuqi e madhe do parashtronte kërkesën për largimin e NATO-s nga Kosova.

Kësaj rradhe ishte zoti Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, i cili e mohoi kategorikisht këtë mundësi. Zoti Stoltenberg theksoi se mandati i NATO-s në Kosovë vazhdon të ketë mbështetjen e të gjitha vendeve të aleancës, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe aleanca do të vazhdojnë të jetë garantuese për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Së fundmi, vijmë dhe te momenti i katërt. Një e ashtuquajtur “zgjidhje e përkohshme franceze” për dialogun e Kosovës dhe Serbinë ka dalë rishtazi nga Beogradi. Sipas këtij plani, Kisha Ortodokse Serbe do të përfitojë një status të veçantë brenda Kosovës, ndërsa veriu i vendit do të marrë një farë autonomie të papërcaktuar. Ndërkohë, Kosova do të “shpërblehet” me njohjen e Greqisë dhe me liberalizimin e premtuar dhe të vonuar të vizave. Edhe për këtë lajm, presidenti serb Vuçiç nuk ka hezituar të prononcohet duke thënë se do të shqyrtohej dhe analizohej.

Taktikat malinje të përhapjes së lajmeve bombastike dhe ushqimit të dyshimeve nuk janë elemente të reja për Ballkanin. Përkundrazi, ato janë në fakt metoda të përsëritura dhe provuara. Secila prej iniciativave më të fundit mbart në vetvete karakteristika të tilla dhe përbëjnë përpjekje për të ndryshuar retorikën mbi pritshmëritë, për zhvillimet dhe kushtet reale në terren.

Fjala vjen, e ashtuquajtura “zgjidhje franceze”, jo më kot pranëvë një zhvillim bilateral, sikurse është mundësia e vendosjes së marrëdhënieve të plota diplomatike ndërmjet Kosovës nga Greqia, me dialogun e Kosovës dhe Serbisë. Në këtë rast, synohet të destabilizohet mundësia e njohjes zyrtare së Kosovës nga Greqia dhe të krijohet konfuzion në lidhje me arsyet që e bëjnë këtë veprim krejt normal dhe tëpër të vonuar tashmë.

Të marra së bashku, këto katër momente paraqesin një tablo shqetësuese për qasjen ndaj rajonit dhe problematikave të tij. E parë kjo jo vetëm në aspektin e agresivitetit të Serbisë zyrtare, por edhe të rrymave dhe qarqeve mbështetëse të synimeve të Beogradit nëpër kryeqytetet e ndryshme të Europës. Në një sens më të gjerë, të katër këto supozime të cilat kanë dominuar ciklin e lajmeve të rajonit të Ballkanit përbëjnë qartësisht një fushatë dezinformimi.

Kjo po zhvillohet në mënyrë shumëplanëshe dhe duket se po synohet metastatizimi dhe pranueshmëria e politikave dhe realizimeve kontraverse, të cilat kanë qënë të refuzuara fuqimisht deri më sot gati me konsensus. Qëllimi i këaj fushate mbetet ende i errët, por treguesit të shtyjnë drejt dy arsyetimeve: po synohet të shtyhet korniza e diskursit të pranuar nga përfaqësuesit politikë dhe publiku, sikurse dhe të zhbalancohet qasja në Kosovë dhe pritshmëritë në qendrat vendim-marrëse të Bashkimit Europian

Përballë kësaj situate është më e domosdoshme se kurrë një politikë e matur dhe një kundër-përgjigje strategjike nga Kosova. Kjo nënkupton më së pari ravijëzimin e një platforme konkrete për dialogun, për metodologjinë dhe rrugëtimin drejt objektivit të një marrëveshjeje finale që përfshin njohjen reciproke, si një kusht të panegociueshëm dhe të pashmangshëm.

Së dyti, qeveria e Kosovës duhet të shumëfishojë koordinimin me Shtetet e Bashkuara dhe të insistojë për një rol primar të Uashingtonit në dialog. Po të vërehet me kujdes, të gjitha propozimet fantazmë që kanë qarkulluar kohët e fundit shmangin çdo lloj reference ndaj rolit të Shteteve të Bashkuara dhe qëndrimeve të diplomacisë amerikane. Kjo nuk është e rastësishme.

Në të njëjtën kohë, është e nevojshme që qeveria e Kosovës të artikulohet qartësisht për papajtueshmërinë e pretendimeve të ngritura nga Beogradi ndaj Kosovës. Kjo duhet nisur me Asociacionin e Komunave Serbe si një institucion me fuqi legjislative, pasi diskursi rreth saj është qartësisht imponim i Beogradit dhe anashkalon perspektivën e Kosovës. Në njëfarë mënyre ose në një tjetër, të gjitha këto “non-paper” dhe zgjidhje të pretenduara përqafojnë një formë të Asociacionit. Edhe kjo nuk është e rastësishme.

Së fundmi, Kosova duhet të bëjë të qartë se sa e dëmshme është tolerimi i shtimit të propozimeve absurde dhe dezinformimeve që bëhen me protagonizmin ose me bekimin e heshtur të Beogradit. Ato jo vetëm dëmtojnë dialogun, për të cilin Bashkimi Europian është investuar kaq shumë, por përbëjnë dhe rrezik të shtuar për stabilitetin e rajonit.

Vinkmag ad

Read Previous

Dalin të tjera-“Ç’a kishe bo pa mu!”/Gjyqtarja Enkeleda Kapedani vazhdon të bëjë namin me të tjera video në rrjetet sociale

Read Next

‘Para të errëta’ dhe këshilltarë izraelitë pas zgjedhjeve shqiptare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular