Search
Close this search box.

Edi Rama: Kam një yll në atë vend që s’thuhet*

Pyet Samiu, vëllai i Naimit dhe Abdylit: «qysh e kanë ruajtur dot shqiptarët gjuhën e tyre të tër´ e të paprishurë nëpër mest të kaqë kohërave t´egëra…kur gjuhëra të shkruara e të ndërtuara me kujdes të madh janë prishur e ndryshuar aqë shumë sa që quhenë gjuhëra të tjera?»

Dhe përgjigjet: «Të qëndruarit lark nga e gjithë bota, nga dituritë, nga qytetëria, nga tregëtia, me një fjalë, të rojturitë si të egërë nëpër malet u ka ruajturë e shpëtuarë shqiptarëve gjuhën e kombësinë». Këtë e thotë një Rilindas nga ata të parët, që e bënë Shqipërinë e jo ndonjëri nga këta të dytët që duan ta «mbrojnë» atë duke e mbajtur në thesin e Gënjeshtrës Romantike Demokratike.

E kotë të përsërisësh që Rilindasit e sotëm e duan Shqipërinë si hobe për ta gjuajtur mbi kokat e atyre që duan të afrohen me botën, me diturinë, me qytetërinë, me tregtinë, e kotë të thuash se çdo hapje karshi botës është një tullë e hequr në murin e tyre refraktar, e kotë të nënvizosh se me një fjalë ata i duan shqiptarët si «të egërë nëpër malet», sepse po të ishte ndryshe ata nuk do të kërcenin zgupthi përpara shfaqjeve të Shpirtit të Lirë si të ishin përpara Shëmbëlltyrës së Shejtanit.

Dhe ata kanë një arsye tepër të fortë t´i ikin lirisë siç i ikën djalli thimjamit: Muri i Kulturës së tyre i ka themelet në diktaturë dhe shpirti i tyre gjallon i balsamosur nën mumien e kulturës totalitare. E të besosh se nga honet e një shpirti të tillë, që u bë platformë morale e diktaturës, mund të dalë tjetër gjë veç shëmbëlltyrës së përçudnuar të saj, është njësoj si të besosh se nga platforma e aerodromit të Gjadrit mund të ngrihet për në Hënë një anije kozmike.

Tek shoh rrëfenjën time të fashitet dalëngadalë bashkë me hënën në qiellin e zbardhur të këtij mëngjezi, mendja më vete tek miku im i dashur Fron Nazi. Në këtë orë në Bronksin e tij hëna duhet të ndrisë fort. I rrethuar siç është me raketa që nisen përditë drejt saj, qytetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Fron Nazi nga Puka mund t´ia kishte mbathur kur të donte për atje lart, por ja që ai preferoi të zbriste në shpellën e errët të dheut të të parëve për të ndërtuar Shoqërinë e Hapur.

Zbriti dhe u vra nga burrat me kanun, të cilët e zunë duke bërë dashuri të ndaluar me Shqipërinë. Nuk mund të mbaronte ndryshe kjo rrëfenjë vetëm se duke e lënë aty ku filloi, tek ky dashnor romantik me pardesy të bardhë dhe kapele të zezë republike që i shkruante Shqipërisë letra me humor të zi, që pinte whisky dhe «Marlboro» e që e donte aq shumë sa nuk mundi asnjëherë ta trajtonte siç e lyp kanuni.

Mbiemri: Rama

Emri: Edi

Bindja: Rron or rron nuk vdes shqiptari

Shenja dalluese: Një yll aty ku s´thuhet

Profesioni: Ushtar i Atdheut

Shkrim i Edi Ramës tek Revista Përpjekja, Dhjetor 1995

Vinkmag ad

Read Previous

Kremtohet dita e “Jo-së” greke/Pirro Dhima shfaqet në krah të nënës së ish-ekstremistit grek Konstantinos Kacifas

Read Next

Facebook ndryshon emrin! Nga sot do të quhet META

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular