Nga Enton Abilekaj
Albin Kurti veshi një buzëqeshje të sikletshme, kur homologu i tij e prezantoi me pronarin e “Fish City”, vend i njohur tashmë si mikpritës i aktiviteteve private dhe publike të qeverisë dhe PS-së. Gjergj Luca, fanatik i kodit të veshjes së peshkatarit, duke i dhënë dorën Kryeministrit të Kosovës, arrinte atë që një biznesmen më i fortë se ai, nuk po e arrin dot në Kosovë.
Buzëqeshja e ngrirë dhe sjellja si manekin e Albinit nëpër investimin e madh të kapitalistit të graduar nga qeveria, linte të kuptonte se ajo e Gjergj Lucës, ishte një surprizë e hidhur, që Edi Rama ia kishte rezervuar me një qëllim. Shpërndarja e videos më pas, e konfirmonte se qëllimi nuk ishte t’i bënte qejfin Lucës, por ta paraqiste liderin e VetëVendosjes, “Kryeministrin e pakapur” që nuk pranon audienca kokë më kokë me biznesmenë, në një dritë tjetër, njësoj vulnerabël ndaj pushtetit të parasë.
Dukej si një kurth, që më pas u shit për t’u dhënë shpresë pazarxhinjve në të dyja anët e kufirit dhe për t’u shuar shpresat shqiptarëve kudo ku kanë ikur. Albini nuk mundi ose nuk diti të dilte nga kurthi, evitonte pyetjet dhe ndalesat që ia impononte mikpritësi-peshkatar, ndërsa shpjegonte duke përmendur shifra të mëdha që ia zgjeronin buzëqeshjen lakmitare Edi Ramës.
Ata të Shqipërisë, Kryeministri me bisnesmenin, ndiheshin rehat në shpalosjen e miqësisë së tyre të ndaluar të paktën nga etika qeverisëse.
Pronari privat i tokës publike, i shpenguar, e trajtonte si “lacin e vet”, ndërsa Rama krenohej me mrekullinë e kapitalizmit të emëruar, si model të karrierës së tij politike. Albini nuk foli dot më shumë se pamjet, nuk denoncoi dot kurthin me shumë se ç’mund të shprehte sikletin. Ky faj e ka vënë në shënjestrën e mbështetësve më idealistë, e ndjekësve më besimplotë, që nuk janë gati t’ja falin sjelljen si Edi Rama qoftë edhe për 10 minuta.
Këtu mbaron historia e Albinit me Lucën. Me një shije te hidhur dhe paralajmërime nëpër media dhe rrjete sociale, se nuk janë gati ta pranojnë në versionin Edi Rama. Pjesa tjetër janë 13 marrëveshjet, hapja e madhe mes Shqipërisë dhe Kosovës që u premtua në Labinot.
Lëvizja e lirë e njerëzve si fillim që shumë shpejt do të shoqërohet me liritë e tjera.
Vendimet ishin shpresëdhënëse për një territor shqiptar të hapur, për një treg që dyfishohet dhe bëhet shumë më konkurues dhe sigurisht për kulturën dhe vetëdijen kombëtare që kishte një vëmendje të veçantë në marrëveshjet e nënshkruara.
Entuziazmi i Albin Kurtit i konfirmuar disa orë më vonë në Facebook, ngjante me atë të mëngjesit, përpara hyrjes në skenë të Gjergj Lucës. Ngjan edhe nga kërcënimi prej një kurthi tjetër të Edi Ramës, ai i Ballkanit të Hapur. Dy ditë përpara ishte takimi virtual me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shpejtësia e Ballkanit të Hapur është rritur nga takimi i Beogradit, kur Vuçiç mori timonin, gazin dhe frenat e ecurisë së procesit. Me formalitetin e Këshillit të zbatimit të marrëveshjeve tani vendimet merren në Beograd dhe vijnë për t’u zbatuar në Shqipëri.
Këtu hyn edhe aksesi në portin e Durrësit, edhe 4 liritë, që Serbia kërkon t’ i implementojë me shpejtësi.
Shpallja e Edi Ramës “kampion” të Ballkanit të Hapur i dedikohet gatishmërisë së tij për ta futur në fuqi procesin që në janar 2022, pas 1 muaji, me lëvizjen e lirë të mallrave. Dihen pasojat për ekonominë e Shqipërisë, dihet që nuk do të ketë asnjë rezistencë ndërsa ekonomia vendase do rrënohet dhe do shndërrohet në konsumatore.
Që nga e premtja, nga ky invasion ekonomik kërcënohet edhe Kosova, që ia ka mbyllur dyert iniciativës së Novi Sadit. Hapja me Shqipërinë, do ta fusë Kosovën indirekt në Ballkanin e Hapur. Nëse mallrat, lëvizja, kapitalet dhe shërbimet do të lëvizin lirisht mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë nga njëra anë dhe mes Shqipërisë dhe Kosovës nga ana tjetër, tregu kosovar do të shkrihet me tregun shqiptar dhe të dy bashkë me tregun serb dhe verimaqedonas. Kosova do të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur, jo vetëm pa dëshirën e saj, jo vetëm pa e pyetur njeri, por edhe pa u njohur nga Serbia.
Kjo marrëveshje, nëse iniciativa e Novi Sadit ecën me këtë ritëm, do të jetë mënyra më e mirë për Serbinë që të hyjë në tregun e Kosovës, si në shtëpinë e vetë, pa patur as nevojën të firmosë marrëveshje me të, pa fussnote, pa negociata. Kështu 13 marrëveshjet mund të shndërrohen në një kurth tjetër për Albinin, një kurth që nuk harrohet me 1 ditë shfryrje të zemërimit./Dosja/