Pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve në Shqipëri gazetat gjermane i kushtojnë vëmendje fitores së Partisë Socialiste, problemeve me përdorimin e pushtetit në fushatë, por edhe dobësive të Partisë Demokratike.
Nën titullin “Edi Rama mund të vazhdojë të qeverisë” gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” thekson se Partia Socialiste ka arritur shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare dhe mund të qeverisë e vetme. Për Edi Ramën ky është mandati i tretë, shkruan SZ, por thekson se “zgjedhjet u shoqëruan, ashtu si edhe votimet e mëparshme, nga një përdorim i dukshëm masiv i burimeve të qeveritarëve dhe me gjasë edhe të blerjes së votës që është mjaft e përhapur.”
Süddeutsche Zeitung nënvizon, se një fitore me një shumicë të tillë ka ardhur me gjasë edhe përmes manovrave jolegale. “Vëzhgues ndërkombëtarë panë se si qeveritarë në fushatë zgjedhore ‘përdorën postet publike’, sipas Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, PACE”, shkruan gazeta gjermane.
Edhe gazeta “Neue Zürcher Zeitung” nën titullin “Edi Rama triumfon për herë të tretë” shkruan se ish-piktori mbetet njeriu i fortë në Shqipëri, dhe se megjithë fitoren e qartë, ai ka humbur disi pushtet.
“Fitorja e zgjedhjeve është një fitore personale për Edi Ramën. Kreu i qeverisë në vitet e fundit i hoqi qafe shumicën e konkurrentëve të brendshëm dhe shpesh i zëvendësoi ata me njerëz besnikë, të panjohur si kandidatë.” Për analistin Volker Pabst, Edi Rama erdhi në pushtet si ish-piktor dhe basketbollist me shpresën për të luftuar korrupsionin dhe për të bërë reforma, por shumë pak ka mbetur nga kjo shpresë. “Partia e tij është e lidhur me sipërmarrës të fuqishëm, krimi i organizuar lulëzon.” Por sipas NZZ nga kjo gjendje pakënaqësie nuk përfitoi dot opozita, pasi Lulzim Basha nuk u pa si alternativë e vërtetë. “Basha ka pasur disa poste ministrore në qeverinë e parardhësit të kontestuar të Ramës, Sali Berisha. Përveç kësaj Partia Demokratike bëri gabime. Me bojkotimin e parlamentit ajo humbi prezencë. Programin e saj zgjedhor kjo parti e paraqiti vonë.”
“Edi Rama feston mandatin e tretë” e titullon gazeta gjermane “Taz” artikullin e saj duke vazhduar me ironi, se tani ai mund të vazhdojë ta çojë në rrënim edhe katër vjet vendin e tij. Sipas OSBE zgjedhjet u zhvilluan të qeta, shkruan taz. “Megjithatë blerja e votës mbetet problem në Shqipëri. Edhe pak para votimeve, më 24 prill u postuan video në Facebook, ku përkrahës të Partisë Socialiste shpërndanin para në zonën e varfër të Dibrës. Edhe me zgjedhjen e dytë të Edi Ramës në vitin 2017 ka pasur akuza të tilla.”
Kurse gazeta “Zeit” pasi thekson fitoren e socialistëve në zgjedhjet e 25 Prillit shkruan, se pjesëmarrja në zgjedhje u rrit krahasuar me vitin 2017. “Në parlamentin e ri ia doli të hyjë edhe Partia Socialdemokrate, PSD e sipërmarrësit të kontestuar, Tom Doshi. Me 2% të votave ajo arriti tre mandate. Partia përfitoi nga mosbalancimi rajonal i sistemit zgjedhor dhe fuqisë elektorale në qytetin verior, Shkodër.” /DW