Nga ALEKSANDËR ÇIPA/Diplomacia ekonomike dhe tregtare e Kinës me Europën Qendrore dhe Lindore është në një proces intensiv të përmirësimit të modelit shkëmbyes. Është një qasje që dominohet nga këmbëngulja dhe paraqitja aktive, në përshtatje me specifikat dalluese mes rajoneve dhe vendeve. Në mënyrë të veҫantë, këto specifika lidhen me shtetet europiane, të cilat mbartin dhe shfaqin diferenca dhe tipologji si mes dy pjesëve të kontinentit europian, përkatësisht Europës Qendrore dhe asaj Lindore.
Modeli i ekspozitave që mishërohet përmes një kalendari të përvitshëm dhe një periodiciteti vijues dhe të respektuar nga ana e Kinës po jep efekt të fuqishëm jo vetëm evidentues, por edhe perceptual për krejt ekonominë kineze dhe vitalitetin e saj në rrafshin global. Madje, kësi modelesh që përmirësojnë arkitekturën e funksionimit, partneritetit dhe sidomos atë të interesave bilaterale dhe multilaterale mes vendeve, rajoneve dhe kontinenteve pjesëmarrëse e fuqizojnë imazhin ekonomik të Kinës. Në këtë aspekt ky model i madhuar dhe shfaqur përmes puzzle-ave të ekonomive dhe marketimit kinez nëpër rajone dhe në partneritet me vendet e ndryshme botërore, po zgjon jo vetëm interesin e partnerëve, por më së shumti ka kohë që mban në lëvizje ndjekësit e operatorëve ekonomikë dhe tregtarë që kanë influencë në shtete të tjera, pavarësisht rajoneve gjeografike. Për këtë shkak, pavarësisht qasjeve dhe kundërshtive gjeopolitike, fluksi dhe trafiku i shkëmbimeve tregtare mes Kinës dhe dy rajoneve të Europës, ndonëse ka diversitet dhe specifika të veҫanta, përbën një realitet dhe formëson një kurbë në ngritje.
Ekspozita e dytë Kinë-vende të Europës Qendrore e Lindore (EQL), e cila pritet të mbahet në 8-11 qershor në qytetin Ningbo të provincës Zhejiang, në Kinën lindore, është një ngjarje e këtij kalendari dhe provë e shtuar e këtij realiteti shkëmbimesh. Aktiviteti është një sprovë reale për më shumë mundësi shkëmbimesh në tregtinë e mallrave të konsumit dhe shërbimeve me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Organizatorët dhe menaxhuesit e kësaj ekspozite, përmes tematizimit të saj, qartazi kanë nxjerrë në pah vlerën e marketimit të modelit ambicioz kinez: “Ndërtojmë model të ri dhe ndajmë mundësi të reja”. Mundësitë ofruese dhe sugjeruese nga pala kineze lidhen me shkëmbime në fushat e tregtisë, të investimeve, të bujqësisë, të shëndetësisë, të arsimit, të turizmit, etj. Këto janë fusha jetike dhe themelore për prurjet dhe realizimet ekonomike për secilën palë, por në mënyrë më mikluese për pjesëmarrësit dhe të ftuarit nga vendet europiane. Regjistri i ekspozitës në tre zona paraqitjeje ta bën më të ditur edhe orientimin e interesave dhe qasjes shkëmbyese. Të tria zonat e paraqitjeve në këtë ekspozitë pritet të kenë vlerën e një guide reale për mallrat e importuara dhe fushat e shkëmbimeve. Siҫ ngjet rëndom në ekspozita të tilla, diplomacia e ofertave dhe e interesave artikulohet dhe gjen vlerë konkretizuese në forumin klasik të Ekspozitës, i cili në rastin e kësaj ekspozite në axhendë parasheh edhe tri seksione forumesh si Forumin e Kryebashkiakëve të Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, Forumin e Samitit të Zhvillimit “Tregtia elektronike në Rrugën e Mëndafshit”, e Dialogun e Inspektimit Kombëtar të Doganave.
Diplomacia ekonomike e Kinës zbaton modelin komplementar të ofertës sipas rajoneve dhe në nivel kombëtar. Provincat e Kinës kanë krijuar tashmë trashëgiminë e bujshme të panaireve ndërkombëtare tregtare si dhe të ekspozitave të kësaj natyre. Modeli lokal është vlerë e modelit kombëtar të ekspozimit dhe shkëmbimit, duke respektuar parimet themelore të programit dhe modelit ekonomik zyrtar, por edhe duke inkurajuar investimin dhe marketimin e modelit të provincave në përputhje plotësuese me modelin kombëtar. Këtij qëllimi marketues i shtohet edhe organizimi i Panairit të 23-të të Investimeve dhe Tregtisë së Zhejiangut, në kuadër të paraqitjes së ekspozitës mes Kinës dhe vendeve të EQL-së.
Fushat e shkëmbimeve projektohen qartazi në këtë ekspozitë dhe kanë lidhje me shtatë kategori dhe lëmi të fuqishme sipërmarrjeje. Në kalendarin zyrtar të shkëmbimeve Kinë-EQL, kjo ekspozitë është parashikuar të tërheqë vëmendjen e të gjitha vendeve të botës dhe do të ketë vlerën e njohjes së mekanizmit mes dy vendeve. Nga pikëpamja sasiore ekspozita në fjalë përfaqëson aktivitetin me pjesëmarrjen më masive, prej rreth 2000 ekspozues të vendeve europiane dhe mbi 6000 blerës kinezë. Ambicja e mishëruar e prodhuesve dhe inovatorëve kinezë do të provohet pikërisht tek produktet që priten të paraqiten. Në fushën e teknologjisë dhe sidomos atë të informatizimit, vende si Letonia dhe Sllovenia do të ekspozojnë produkte të reja teknologjike. Letonia si zhvilluese e software-it të sistemit pa pilot dhe ofruese e shërbimit të integruar, ndërkohë që sllovenët do të ekspozojnë për herë të parë Aeroplanin Bat. Lazeri i Lituanisë, i cili përbën 50% të tregut global, do të shfaqet me teknologjinë më të fundit në këtë ekspozitë. Pra, është e qartë se niveli i ekspozimit dhe ambicjet e operatorëve nacionalë nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore mbart cilësi ambicjesh për tregun global të shkëmbimeve.
Në planin marketues kjo ekspozitë, e cila u parapri nga një cikël aktivitetesh në nivel provincash dhe qytetesh krysore si Pekin, Nanjing, Chongqing, Chengdu etj., përbën imazhin e ofruar të forcës dhe pretendimit shkëmbyes tregtar. Politika e promovimit të modelit dhe inkurajimi i mekanizmave vetëshkëmbyes në vetvete janë elementë themelorë të modelit sfidant që Kina ia ofron kontinentit europian edhe pse marrëveshja BE-Kinë në parlamentin Europian mbetet në kalendat e njohura qysh prej dhjetorit të vitit të shkuar.
Aleksandër Çipa