“Berisha është duke vdekur politikisht, nëpër rrethe po e pret pjesa më e pagdhendur e shoqërisë”. Kështu tha sot nga studio e lajmeve të MCN TV gazetari Mustafa Nano teksa fliste për takimet e ish-liderit të PD Sali Berisha me bazën.
Sipas Nanos në PD të gjithë janë duke ndjekur yllin e interesit të tyre dhe se me Bylykbashin dhe Spahon mbyllet historia e kampeve Basha-Berisha.
Intervista:
Z. Nano, dëgjuam ish-kryeministrin Sali Berisha dje që të aludonte për një takim mes Ramës dhe Bashës në Slloveni. Mendoni se ka ndodhur një bisedë e tillë?
Nano: Nuk do ishte asgjë e keqe. Ne merremi për 30 vite me radhë me insinuata. Nëse takohen le të takohen s’ka asgjë të keqe, janë shqiptarë. Ata janë takuar dhe herë të tjera dhe kanë bërë dhe marrëveshje, por unë besoj që marrëveshje mund të bëhen, por jo në këtë moment. Ajo që ndodhi në Gjirokastër tregon se Berisha është duke vdekur politikisht, janë duke e pritur nëpër rrethe pjesa më e pagdhëndur e shoqërisë dhe e vetmja gjë që po arrin Berisha është dëmtimi i PD.
Po shtohen emrat e demokratëve që po mbështesin Berishën?
Nano: Të gjithë janë duke ndjekur yllin e interesit të tyre dhe mendoj se me Bylykbashin dhe Spahon mbyllet historia e kampeve Basha-Berisha. Unë besoj që këto emra janë të fundit që do rekrutojë nga Grupi parlamentar. Karriera e tyre është dhuratë që ua ka bërë Berisha.
Z. Berisha ka siguruar 1800 nga 1500 firma që i duhen për të thirrur Kuvendin Kombëtar. Megjithatë ai ka deklaruar se do të mbledhë dyfishin e tyre. Mendoni se Berisha i druhet mosnjohjes së firmave, apo e bën për të treguar forcë?
Nano: Besoj është duke u menduar nëse do ndjekë këtë rrugë, por mund të ndjekë edhe rrugë të tjera, ka disa opsione dhe me këtë mund të shpjegohet. Berisha i ka firmat për Kuvendin Kombëtar, por ai vetë nuk e di nëse do ishte gjëja e duhur. Do ishte për të ardhur keq që një problem në PD të zgjidhej në rrugë. Me rregull në PD duhet të flisnin forumet, besoj Berisha do jetë viktim i gjithë gjërave që ai vetë ka shpikur.
Qindra qytetarë morën pjesë në protesta, por sërish nuk ishte mjaftueshëm…
Nano: Këtu është vrarë nervi dhe shpirti i qytetarëve. Protesta e fundit ka qenë ajo e studentëve dhe ajo u vra, pasi partitë penetruan në të.
U mbyll dje samiti i Sllovenisë, por nuk pati asnjë përparim as për Tiranën as për Shkupin. BE thotë se nxit zgjerimin, por nga ana tjetër asnjë hap më tej. Është përgjegjësi e Unionit apo janë vendet e Ballkanit që nuk përparojnë?
Nano: Besoj është përgjegjësi e BE dhe Rama e ka aq të qartë këtë gjë dhe na shpreh pesimizmin e vet. Unë konsideroj se faji është i vendeve të Europës. Ne penalizohemi për shkak të Maqedonisë së Veriut.
Mos do të ishte më mirë një ndarje e Tiranës dhe Shkupit?
Nano: Për interes tonin do ishte mirë të ndaheshim. Fati jonë është i lidhur bashkë tashmë.
Kur do jemi anëtarë të unionit?
Nano: Kam frikë se as 20 vjet nuk do mjaftojnë. Ne jemi shumë vite pas BE-së.