Ishte marrë me qira për banim por përdorej nga trafikantët e drogës për të kultivuar kanabis. Pas një hetimi disa mujor sektori i anti drogës në policinë e Tiranës zbuloi kanabisin dhe arrestoi 2 persona të cilët e kishin përshtatur banesën në një laborator kultivimi droge.
Në pranga ra edhe një 50 vjeçar i cili ishte punësuar për ruajtjen e këtij ambienti. Burime nga policia e shtetit bëjnë me dije se kjo mënyrë kultivimi që po përhapet shumë së fundmi në gjithë vendin, është e ngjashme me ‘shtëpitë e barit’ në Britaninë e Madhe apo Spanjë. Mundësitë e kufizuara për të kultivuar kanabisin në tokë të hapur për shkak të monitorimit ajror po shtyjnë trafikantët të ndjekin një tjetër strategji. Kryesisht banesat e përshtatura në laboratorë kultivimi merren me qira nga trafikantët që më pas i vendosin pajisje speciale si llambat, aspiratorët e fuqishëm apo sistem ujitjes e tharës të bimëve narkotike. Zbulimi në Astir nuk është i vetmi. Kohët e fundit, janë gjetur shtëpi kanabisi edhe në Durrës e Lushnje. Në këto operacione, policia ka arrestuar jo vetëm kultivues por edhe punonjës së operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike pasi nuk kanë kontrolluar linjën dhe matësin e energjisë elektrike.
