Ndarja nga jeta e poetit Lefter Çipa/Ismail dhe Helena Kadare: Humbje e një vlere të çmuar kombëtare

Ndarja nga jeta e mjeshtrit të poezisë popullore, Lefter Çipa u shoqërua me reagimin e shumë personaliteteve të politikës dhe kulturës, duke e konsideruar një humbje për vlerat kombëtare.

Shprehja e ngushëllimeve dhe vlerësimi për figurën e poetit Lefter Çipa nuk kanë munguar as nga shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare së bashku me bashkëshorten e tij, Helenën.

Në letrën e ngushëllimit dërguar Aleksandër Çipës, të birit të poetit të ndjerë Lefter Çipa, Ismail dhe Helena Kadare shkruajnë se ndarja nga jeta e mjeshtrit të poezisë popullore është një humbje e një vlere të çmuar kombëtare.

Mesazhi i Ismail dhe Helena Kadare:

“I dashur Aleksander,

Rastesisht

nuk kemi patur  kontakte te drejtperdrejta me ju, edhe pse respekti dhe simpatia jone kane qene te pranishem kurdohere ndaj jush per shume arsye.

Me trishtim  morem vesh   humbjen e babajt tuaj te nderuar, ketij  personalitet te larte qe ne menyrat me te ndryshme ka shoqeruar jeten tone ashtu si te shume shqiptarëve  te tjere  ketu dhe kudo neper bote.  Humbja e tij eshte   humbja e nje vlere te çmuar kombetare. Pranoni i dashur Aleksander ngushellimet tona me te sinqerta.

Miqesisht

Ismail dhe Helena Kadare“

Poeti Lefter Çipa u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 79-vjeçare. Ai ndërroi jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Lefter Çipa ka lënë pas një krijimtari të gjerë në libra e tekste këngësh.

Ai njihet si njeriu që investoi më shumë për polifoninë shqiptare. Lefter Çipa është autor i 18 librave të botuar me poezi si : “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurise”, etj. Konsiderohej “princi i sotëm” i polifonisë shqiptarë.

Lefter Çipa është edhe autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore si “Bejkë e bardhë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Zoga kaçake në male”, “Këngë kurbeti”, “Vito Pëllumbesha”, “Hënëz e qiellit të gjerë”, “Moj unaza gur jeshile”, “N sokak të ngushtë”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Kënga e manushaqes”, ” Zonjë e bukurisë”, etj.

LEXO EDHE:

Leave a Reply

Your email address will not be published.