Në 11 nuk do të ketë kuvend, aq më pak konservator

Nga Fitim Zekthi

Debati në Partinë Demokratike është bërë aq i ashpër, aq acidik sa ka mbërritur në akuza penale, në luftë ad hominem të llojit më ekstrem. Ky debat bëhet edhe më i rënduar kur një pjesë e mirë e shtypit është përfshirë në të si palë, madje edhe më e egër sesa vetë pjesëmarrësit në debat ose jo më mirë pjesëmarrësit në luftë.

Një nga elementët bazë të këtij debati është pa dyshim edhe i ashtuquajturi Kuvendi i 11 dhjetorit, legjitimiteti i tij, i thirrur nga ish-kryetari i PD-së, Sali berisha. Sigurisht që Kuvendi në vetvete apo legjitimiteti i tij nuk janë thelbi i debatit. Thelbi i debatit është shumë më politik dhe Kuvendi apo legjitimiteti i tij janë detaje në arritjen e qëllimit. Gjithsesi, gjithçka rrotullohet te Kuvendi i 11 dhjetorit, i cili shihet nga Foltorja si pika që do të zgjidhë luftën në PD. Në të vërtetë, ai Kuvend nuk do të zgjidhë asgjë për Foltoren, përkundrazi ai do të shtojë zemërimin dhe zhgënjimin tek ajo, por kjo është një temë tjetër. Le të flasim pak për Kuvendin e 11 dhjetorit dhe për legjitimitetin e tij.Foltorja nisi që në ditët e saj të para të flasë për një lëvizje konservatore që do të realizonte “një PD më të hapur, më të lirë dhe më demokratike”. Njerëzit kryesorë të foltores dhe drejtuesi i saj Berisha në 30 vite nuk kanë folur kurrë në terma konservatorë as për çështje të lirive të besimit, as për çështje të rolit të komunitetit, as për zemrën e konservatorizmit për oikofilinë, as për edukimin e fëmijëve, as për kurrikulat totalisht liberale të shkollave, as për familjen, as për martesat etj., por edhe ky është një debat tjetër. Foltorja zgjodhi të thotë se është një lëvizje konservatore. Ajo që në krye të herës u përpoq të thotë përditë dhe kudo se ajo kishte me vete 80 % të bazës së PD-së, se anëtarësia dhe votuesit e djathtë ishin masivisht kundër Bashës. Paralelisht u organizuan takime të mbyllura ku tregohej një entuziazëm i madh, i cili nëpërmjet mediave të shumta dhe atyre politikanëve që shkonin në këto takime trumbetonte se baza e PD-së është 80% me Berishën, se Berisha prodhon shpresë se Rama do të bjerë shpejt etj. Me anë të këtyre veprimeve (duhet thënë teknikisht efikase) foltorja arriti të krijojë idenë se ajo ka të drejtë. Paralelisht, foltorja adoptoi një gjuhë asgjësuese, nuk pranonte asnjë interpretim tjetër veç atij që kishte ajo, kushdo që e kundërshtonte sulmohej si i shitur apo i blerë, si i pamoral apo si servil.

Foltorja dhe njerëzit filluan të thonë kudo se do të mblidhnin një Kuvend të jashtëzakonshëm sipas firmave që do të jepnin delegatët. Foltorja, duke përdorur mjetet e mësipërme, imponoi në një masë të madhe interpretimin e saj se Kuvendi që do të mblidhet me firmat e më shumë se 1/4-ës së delegatëve, është legjitim, madje suprem, sepse e thërret baza. U fol për mbledhje firmash. U dorëzuan te kryetari i Këshillit Kombëtar, Paloka, sipas tyre 4200 firma. Për z. Berisha, kjo ishte një mrekulli e demokracisë, Basha ishte ish-kryetar.

Sallat e mbyllura entuziaste, narrativa hiperbolike e vazhdueshme se 80% e bazës është me foltoren, prodhimi i një gjuhe asgjësuese me akuza penale, prodhimi i një të vërtete të vetme që e ka foltorja, sulmi ndaj kujtdo që nuk është me foltoren, bënë në njëfarë mënyre të mundur që të merret e mirëqenë se baza ka firmosur dhe se Kuvendi duhet të mblidhet apo se ai është legjitim. Thamë në fillim që foltorja flet për një lëvizje konservatore. Kjo është paradoks në gjithçka. Foltorja mishëron një lëvizje krejtësisht antikonservatore në çdo kuptim. Shën Aguistini në shekullin e 4-ërt, por edhe Ibn Sina apo Avicena në shekullin e 11-të, thanë se dy janë gjërat më të rrezikshme, nga e cila duhet të mbrohet sistemi politik, qeverisja dhe shoqëria. Utopia dhe cinizmi. Utopia ofron një gjë të parealizueshme, një ëndërr, një botë ideale dhe kjo gjë pa dyshim që do të prodhojë qeverisje, sisteme politike të këqija dhe tiranike. Cinizmi do të prodhojë qeverisje, sisteme politike, ku interesi i ngushtë, epshi, inati, zemërimi, urrejtja, smira, do të udhëheqin. Këto janë gjërat më antikonservatore në faqe të dheut dhe këto kanë prodhuar gjithë të këqijat në botë. Foltorja i mishëron të dyja me shumicë, madje duket se vetëm nga ato të dyja udhëhiqet.

Le të shohim konkretisht legjitimitetin e Kuvendit të 11 dhjetorit duke u përpjekur të përqasim pranë një kënd konservator. Njerëzit e foltores e kanë pranuar në shumë raste se nuk mund të pengohet baza, delegatët populli me procedurë. Këtë e tha edhe Paloka në çastin kur u dorëzuan firmat. Në të vërtetë, statuti i PD-së nuk është procedurë. Statuti është Kushtetuta. Fakti që statuti tregon se si zgjidhet apo se si mblidhet diçka nuk tregon një procedurë dhe nuk tregon se statuti është procedurë. Tek enumeracionet e statutit gjenden ide, vlera politike, kategori që i japin atij thelbin dhe mishërojnë thelbin. Keith Ëhitingon, profesor i së drejtës në Princeton, thotë se për lexim konservator apo kuptim të djathtë, Kushtetuta është komunikim, instruktim nga një ligjvënës me autoritet (populli ose delegatët) dhe zbatuesi apo interpretuesi duhet ta shohë si të tillë. Pra, së pari, foltorja bën një gabim të rëndë kur quan i pikat e statutit procedurë. Vetëm për të majtën, madje ekstreme thotë John Ray, një ligj është procedure. Kësisoj, foltorja këtu qëndron në pozita krejt jokonservatore kur e sheh statutin apo nene të tij si procedurë.

Së dyti, konservatorët e lexojnë gjithnjë ligjin, statutin apo Kushtetutën (çdo tekst ligjor) nën dritën e kuptimit origjinal ose të konstruktivizmit strikt. Një konservator përpiqet që te një tekst të kuptojë qëllimin origjinal të tij, parimet që dalin nga ky kuptim origjinal. E majta, liberalet majtistë, komunistët, e shohin ligjin apo tekstin si një pemë të gjallë, i cili i përgjigjet një situate dhe i jep zgjidhje asaj. Kjo është e kuptueshme për të majtën, e cila nën interesin apo epshin e saj kërkon t’i japë ligjit kuptimin që ajo do. Për të djathtën nuk ka asnjë kuptim të ligjit që nuk gjendet në tekst, thotë Stanley Fish i universitetit të Florida-s. Foltorja, duke thënë vetë se do bëjë revolucion (gjë krejtësisht antikonservatore edhe kjo), do t’i japë ligjit, statutit, kuptimin që ajo do sepse për të ligji është një pemë e gjallë që i përgjigjet apo zgjidh një situatë. Antonin Scalia, gjyqtar legjendar konservator, thoshte se ligji është në fakt një pemë e vdekur, nuk mund t’i jepet asnjë kuptim që nuk i ka dhënë ligjvënësi. Foltorja e ka marrë për interpretim absolut faktin që po u mblodhën më shumë se 1/4 e firmave, Kuvendi vetëmblidhet dhe pikë. Teksti thotë pasi tregon se Kuvendi mblidhet nga kryesia dhe Këshilli Kombëtar se “…Kuvendi mund të thirret edhe kur e kërkojnë 1/4-a”. Është e qartë se edhe po ta kërkojnë 100% e anëtarëve, Kuvendi nuk mund të vetëmblidhet. Ai duhet të thirret nga institucionet e partisë. Ligjvënësi (Kuvendi) di që jo çdo kërkesë për Kuvend është e pranueshme (p.sh., ta shpallim PD-në me statut parti komuniste apo partia fashiste, t’i detyrojmë anëtarët të vishen me të bardha etj.), siç di që mund të ketë njëkohësisht dy apo tri kërkesa. Cila do të pranohet? Këtu nuk është çështja nëse duhet apo jo një kuvend, këtu është çështja se foltorja flet për të vërteta fundore që i zotëron ajo, bash si lëvizjet më të majta të botës në një kohë që thotë se është konservatore. Kuvendi u pranua edhe nga Basha dhe institucionet dhe u bë në mënyrë që gjithkush të rrijë brenda një strehe dhe brenda ligjshmërisë.

Pra, Kuvendi nuk mund të mblidhet edhe sikur ta kërkojë 80% e anëtarëve dhe ky është një lexim konservator dhe i drejtë. Kryetari legjendar i Gjykatës Supreme, John Marshall, thoshte se sikur kongresi amerikan t’u kërkojë gjyqtarëve që të dënojnë për tradhti një qytetar me vetëm një dëshmitar kur Kushtetuta thotë duhen dy, atëherë gjyqtari kurrë nuk duhet t’i dëgjojë anëtarët e kongresit. Le të votojnë ata 100%. Ky është lexim i djathtë, i drejtë dhe konservator.

Nga ana tjetër, tërë thelbi i mendimit politik konservator mbi sistemin politik është se ai, duke synuar të shmangë marrjen e pushtetit nga “utopia dhe cinizmi”, bazohet tërësisht te ndarja e pushteteve. Çdo entitet politik dhe jo politik karakterizohet nga check and balance, nga kontrolli dhe balancimi i pushteteve. Pushteti i shkrimit të rregullave, ai i interpretimit dhe ai i zbatimit nuk mund të jenë në një dorë. Edhe PD-ja i ka këto ndarje në statutin e saj.

Foltorja tha se po i dorëzon firmat tek “organi më i lartë i PD-së pas Kuvendit”, te Këshilli Kombëtar. Së pari, kjo është një gënjeshtër sepse kryetari i Këshillit nuk është Këshilli. Ai ka pushtet vetëm në drejtimin e mbledhjeve dhe asgjë tjetër. Gjithashtu, u tha se Kuvendi, duke qenë organi më i lartë, nuk mund të kontrollohet nga organet vartëse si kryesia apo sekretariatet.

Kuvendi nuk i ka organe vartëse kryesinë dhe sekretariatet. Kuvendi mund të kontrollohet nga Gjykata e partisë. Sekretariatet bëjnë verifikim dokumentesh për këdo. Kryesia mund të përjashtojë një delegat nga partia. Edhe Parlamenti është organi më i lartë, por nuk e ka vartëse qeverinë dhe gjykatat dhe deputetët kontrollohen nga ILDKP-ja, mund të hetohen nga Prokuroria, ndalohen nga policia etj.

Së dyti dhe kjo është me të vërtetë shumë e rëndë dhe krejtësisht e papranueshme, Kuvendi, duke qenë organ legjislativ, nuk mund të kryejë dhe nuk duhet të kryejë, nuk i lejohet të kryejë punë ekzekutive siç është verifikimi i firmave. Kuvendi nuk mund t’i dërgojë firmat në zyrën e “organizmit më të lartë që është Këshilli..”, sepse një organ legjislativ nuk i çon për verifikim në një organ legjislativ. Firmat i verifikon vetëm kryesia si organ ekzekutiv dhe sekretariatet. Nuk ka rrugë tjetër. James Madison thoshte se nuk mund të merret një nen apo një copë tekst dhe të ndërtohet me të një parim. Merret parimi dhe nëpërmjet tij lexohet teksti. Parimi është ndarja e pushteteve, por si kudo foltorja është edhe këtu totalisht antikonservatore. Njerëzit e foltores i kërkojnë “palës” tjetër nenin ku thuhet që firmat duhen dorëzuar te kryesia apo sekretarët në një kohë që nuk tregojnë kurrë se ku është neni që thotë se firmat dërgohen te Paloka. Në një kuptim të nstruktivizmit strikt apo kuptimit origjinal që është leximi i djathtë, nuk bëhet asgjë që nuk thuhet në tekst. Kur nuk ka tekst, ndiqet parimi që del nga kuptimi origjinal. A ka dashur kuptimi a që PD të mos ketë ndarje pushteti, a ka dashur PD që disa njerëz të thonë kemi 80% të firmave dhe hajdeni shiheni po deshët, kemi thirrur Kuvend në datën a, ne do i verifikojmë vetë ditën e Kuvendit? Kjo është qesharake për një kuptim të djathtë. Kjo është qesharake edhe për çdo lloj kuptimi të logjikshëm.

Tërë politika rrotullohet rreth common sensit, kur ai nuk ekziston, si në rastin e PDsë, atëherë ka ose luftë, pra, ka lëvizje të paligjshme për përmbysje që janë në natyrën e tyre vetëshkatërrimtare ose vendosin institucionet. Ajo që do të ndodhe në datën 11 dhjetor mund të jetë gjithçka, por kurrë një Kuvend, sigurisht që nuk mund të jetë asgjë konservatore. Çdo vullnet shumice, nëse Foltorja është shumicë, duhet të ushtrohet nëpërmjet rregullave dhe në mënyrë të drejtë. Ky është postulat në demokraci. Legjitimim tjetër për atë Kuvend është vetëm ideologjia e utopisë, e revolucioneve…/Panorama/

Leave a Reply

Your email address will not be published.