Kryeministri Edi Rama së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj, të shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim kanë prezantuar fillimin e punimeve për transformimin e Piramidës në një qendër dixhitale për të rinjtë.
Megjithëse Piramida e ruan formën e saj të përgjithshme, ajo do të transformohet duke humbur elementët idenitarë dhe historikë.
Madje për të ruajtur këto elementë në nëntor të vitit 2010, Edi Rama doli kundër projektit të qeverisë Berisha për të prishur Piramidën dhe për të ndërtuar aty godinën e Kuvendit. Ai e cilësoi nismën e Berishës në atë kohë si talebanizëm.
Edi Rama, nëntor 2010: Në cilësinë e një njeriu të kulturës dhe të artit, që nuk e pranoj dot talebanizmin në raport me objektet, sepse i çfarëdo kohë qoftë dhe me çfarëdo arsye u motivoftë është talebanizëm. Talebane është edhe e kundërt. Pra të bësh atë që bënte Enver Hoxha me trashëgiminë kulturore dhe historike të këtij vendi. Ju po e bëni njësoj si gjenerali serb, që kur u shemb ura Mostarit tha, mos u mërzisni dhe mos shqetësohet bota, do ta bëjmë edhe më të bukur, do ta bëjmë edhe më të vjetër.
Por, sot Edi Rama nuk e ka për gjë që të dalë kundër Edi Ramës së vitit 2010.
Edi Rama, 4 shkurt 2021: Projekt që ka marrë shumë kohë për formën e saj, në të gjithë tërsinë e projekteve që unë mbaj mend. Ndërtesë e cila dihej se për çfarë është krijuar. Vënia e një forme që ishte shumë e lidhur me tendencat e arkitekurës moderne, ishte e mundur, në rastin kur kjo formë do duhej të përmbante mesazhin e përjetshëm të lavdisë së komunizmit dhe Enver Hoxhës, kjo e bëri godinën një objekt që duhej ruajtur. Jo thjesht për historinë e saj, por për formën e saj, pastaj vitet që erdhën e lanë këtë godinë në mes të Tiranës në zemër të qytetit në një proces degradimi, asnjëherë nuk u gjet mënyra se si mund të shërbente, për qëllime të tjera dhe me funksione të tjera. U provuan një sërë gjërash që çuan në gëzimin e brendshëm të piramidës. U kthye në simbolin e tokës së xanun, në një bashkëpunim të shtetit dhe aktorëve të ndryshëm të sipërmarrjes. U kthye në një vend ku veprimtaritë nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Më pas lindi ideja që ta kthenin në territorin e parlamentit të ri dhe ta fshinin godinën. Në mënyrë të papritur filloi acarimi nga brezi i ri, që sapo kishte filluar të hynte në botën dixhitale. Protestuesit ishin më të rinjtë, që protestonin për të ruajtur një shenje të një kujtese që nuk ishte kujtesa e tyre e drejtpërdrejtë por kolektive. Duhet të pranoj se duke qenë se e kam pasur në mendje që kur u bëra kryetar i Bashkisë që ta ktheja në një aset të rëndësishëm që është një sfidë shumë e ndërlikuar
Piramida nuk është e vetmja godinë, të cilën kryeministri Rama do t’i zhbëjë identitetin e saj. I tillë është stadiumi ‘Qemal Stafa’, tashmë i transformuar në ‘Air Albania’ të cilin Rama e përdor edhe për vaksinimin ndaj Covidit. Stadiumit ‘Qemal Stafa’ iu prish e gjithë fasada, duke i hequr pjesën më kryesore të identitetit të kësaj hapësire sportive në kryeqytet.
Për këtë Rama nuk ngurroi shumë teksa deklaroi në prill të vitit 2016, se ‘Qemal Stafa’ ishte një monument vulgariteti, degradimi dhe pisllëku.
Edi Rama, 24 prill 2016: A ishte Wembley i vjetër një monument kulture? Jo vetëm ishte një perlë e trashëgimisë kulturore, po edhe një monument i historisë së futbollit botëror, jo thjesht anglez. E megjithatë erdhi koha qe të shembej për t’ia lënë vendin Wembley-it të ri, sepse ashtu siç ishte, produktivitetin e kishte minimal ndërsa kostot e mbajtjes së tij në jetë ishin të jashtëzakonshme. Po “Qemal Stafa”?! I cilësuar monument kulture vetëm për shkak të fasadës së tribunës qendrore, ndërkohë që gjithçka ka në pjesën tjetër është monument vulgariteti, degradimi, pisllëku. Pozicioni i tij në zemër të kryeqytetit është fantastik, shansi ynë historik që ta kemi stadiumin e ri kombëtar në qendër e jo jashtë qytetit. Kosto e paimagjinueshme për të ruajtur një fasadë që sado e bukur, nuk mund të justifikojë tërë atë boshllëk pa jetë në mes të Tironës.
Ruspa ndaj objekteve dhe godinave të trashëgimisë kulturore do të kulmonte me prishjen e Teatrit Kombëtar, për të cilin Rama nuk mori parasysh as protestat e vazhdueshme të aktorëve dhe artistëve. Madje ai e cilësonte Teatrin Kombëtar si një objekt pa vlerë duke theksuar se në vend të tij do të ndërtojë një teatër të ri.
Edi Rama, 14 shkurt 2018: Ky është një muhabet pa lidhje. Ai objekt qëndron si një sfidë ndaj fatit, pasi ai mund të shembet nga dita në ditë, është e padenjë për të qenë një godinën për Teatër Kombëtar i këtij vendi. Nëse do të ishte shembur me kohë, do të ishte më mirë, kjo nuk ka ndodhur në të shkuarën, por do të ndodhë në të ardhmen. Ne do të ndërtojmë një Teatër Kombëtar.
Në 17 maj të vitit të kaluar, Rama së bashku me kryebashkiakun Veliaj bënë realitet shkatërrimin e Teatrit Kombëtar duke dërguar rreth orës 4:30 të mëngjesit të së dielës fadromën shoqëruar me forca të shumta policie për të dhunuar aktorët dhe shembur në tokë Teatrin Kombëtar.
Sot ishte radha e Piramidës për t’u tjetërsuar, për të cilën kryeministri Rama ka qenë totalisht kundër. Por me ardhjen në pushtet të tij në vitin 2013, Tirana ka humbur një sërë godinash dhe objektesh kulturore, duke shtuar këtu edhe ndërtimin pa kriter me lejet e dhëna nga kryebashkiaku Erion Veliaj./Agora News/