Nga Aleksandër Çipa/Është bërë tashmë i përvitshëm celebrimi i Ditës së Tokës, si një ditë për të rritur ndërgjegjësimin për nevojën e mbrojtjes së mjedisit dhe, në një sens më të gjerë, të planetit tonë. Ndryshe nga vitet e mëparshme, eventi i këtij viti u shoqërua me një takim të liderëve globalë për të avancuar diskutimet në lidhje me problematikat gjithmonë e më të theksuara të ndryshimit të klimës.
Samiti virtual dy-ditor, i mbajtur nën iniciativën e presidentit amerikan, Joe Biden, synonte hedhjen e një hap të mëtejshëm bashkëpunimi në një luftë të përbashkët dhe ekzistenciale për njerëzimin. Në të njëjtën kohë, ai synonte të reflektonte një moment të ri për të dëshmuar se shtetet e mëdha mësuan disi nga situata e COVID-19 për faktin se një angazhim i përbashkët për problemet globale mund të jetë shumë herë më i frytshëm se sa masat individuale.
Në vetvete, takimi ishte gjithashtu një sinjal që presidenti Biden donte të jepte për rëndësinë që administrata e tij do i kushtojë kësaj ҫështjeje, veçanërisht pas rikthimit të SHBA-ve në marrëveshjen e Parisit të vitit 2015. Gjithashtu, përshtypje të madhe nuk bëri vetëm pjesëmarrja e dyzet liderëve botërorë nga gjashtë kontinente të ndryshme, por edhe prania e presidentit kinez, Xi Jinping. Ky takim virtual shënoi në fakt edhe takimin e parë të dy liderëve që nga fitorja inaugurimi i presidentit amerikan Joe Biden.
Edhe më herët, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kishin dhënë prova të një gatishmërie për të dialoguar dhe bashkëpunuar në përpjekjet për të ulur emetimet e gazrave dhe për të luftuar ndryshimin e klimës. Të dyja këto vende janë përcaktuese për ardhmërinë e përpjekjeve të njerëzimit në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe të përballjes me ndryshimet klimaterike. Si ekonomitë më të mëdha në botë, ato janë edhe dy emetuesit më të mëdhenj të karbonit, duke përbërë së bashku afërsisht gjysmën e emetimeve të gazrave serrë. Si rrjedhojë, çdo iniciativë për të adresuar këtë problem ekzistencial për njerëzimin është e vështirë të imagjinohet pa bashkëveprimin dhe bashkëpunimin e gjerë mes Pekinit dhe Uashingtonit. Pikërisht për këtë arsye, edhe në takime të tjera të zyrtarëve respektivë për këtë ҫështje, është bërë një distancim nga frontet e tjera të mospajtimit dhe është synuar koordinimi. Mbi të gjitha, veçanërisht duke marrë përsipër aksione konkrete për reduktimin e emetimeve të karbonit në të ardhmen.
Në këtë mbledhje virtuale u rishfaqën përsëri Shtetet e Bashkuara. Gjatë administratës së presidentit Donald Trump, Uashingtoni u largua në mënyrë surprizë nga Marrëveshja e Parisit. Presidenti Biden u përpoq që në takimin e këtij prilli të përҫonte një mesazh kryekëput të ndryshëm. Në fakt, ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara merrnin përsipër zotimin për të përgjysmuar nivelin e emetimit të gazit serrë deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 2005.
Ai u shpreh shpresëplotë se ky zotim merrte parasysh dhe arrinte të balanconte kostot dhe përgjegjësitë që i takojnë Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, sfida që SHBA po merr përsipër do të jetë e vështirë. Largimi nga marrëveshja e Parisit la një shije të keqe për imazhin e SHBA-ve në lidhje me këtë ҫështje.
Në një pozitë tjetër më të fortë e gjen veten Kina, emetuesja më e madhe në botë e karbonit. Pavarësisht këtij fakti, Kina në mënyrë të vazhdueshme ka forcuar imazhin e saj për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimin e klimës. Presidenti Xi Jinping nuk ndërmori zotime të tjera në samit, por rikonfirmoi ato ekzistueset, ku mbetet si më ambiciozja arritja e kulmit të emetimeve të karbonit para vitit 2030 dhe më pas arritja në zero emetime deri në vitin 2060. Intervali ndërmjet këtyre dy objektivave në Kinë do të jetë më i shkurtuar se në vende të tjera. Ndërkohë që intervali në Kinë është 30 vite, për Shtetet e Bashkuara është, sipas projeksioneve, 43 vite, ndërkohë që për Bashkimin Europian kjo rritet edhe me gati tre dekada të tjera. Ky përshpejtim, vendosur në një kontekst më historik, i jep një tjetër peshë zotimit të Kinës.
Gjithashtu, presidenti kinez u shpreh se do të kontrollojë në mënyrë rigoroze termocentralët me qymyr dhe do të ulte në mënyrë të ndjeshme numrin e tyre gjatë planit 5-vjeҫar, edhe kjo një nismë mjaft e rëndësishme. Gjatë fjalimit të tij, presidenti Xi Jinping përforcoi sërish rëndësinë e një politike të mirë mjedisore për zhvillim, barazi shoqërore dhe drejtësi. Kjo sipas tij mund të arrihet mes shteteve të ndryshme duke punuar bashkë, duke respektuar përgjegjësitë e ndryshme individuale për uljen e emetimit të karbonit. Me këtë ai theksoi idenë që vendet e zhvilluara duhet të synojnë një politikë më ambicioze për të adresuar problematikat e lidhura me ҫështjet klimaterike, por edhe të shërbejnë si një ndihmesë e rëndësishme për vendet më pak të zhvilluara që të drejtohen drejt kontrollimit të emetimeve të karbonit.
Samiti ishte një hap i rëndësishëm dhe një mundësi e shkëlqyer, që liderët botërorë të konfirmojnë një perspektivë të re për përgjegjësinë dhe angazhimet e tyre kundrejt sfidës së përbashkët të njerëzimit. Të gjitha vendet pjesëmarrëse tani duhet të konkretizojnë zotimet e tyre për të arritur ndryshimet e domosdoshme.