Nga Aleksandër ÇIPA/Qarkullimi turistik njerëzor është një sfidë kuptimplote ndaj tabuve gjeopolitike që ndjekin shtetet dhe sidomos autoritetet politikëbërëse. Cikli i parë i hapjes postpandemike po ndodh dhe po vijon të përhapet në rajone të ndryshme të botës. Ka nisur një lëvizje e konsiderueshme së fundmi edhe në rajonin e Ballkanit. Raportimet mediatike në hapësirën ndërkontinentale flasin kësisoj për një zhvillim të tillë pozitiv në nivel ndërkombëtar, duke krijuar një hartë hapjeje amorfe dhe disproporcionale mes kontinenteve dhe rajoneve të ndryshme. Kina ishte sfidantja e parë që shpejt triumfoi mbi mbylljen dhe hermetizmin pandemik në rrafsh global. Kjo sfidë apo tejkalim prej Kinës, u bë edhe më evidente kur periudha nga dita e shpërthimit deri në rikthimin tek normaliteti në rajonin e parë të prekur të saj rezultoi të ishte mjaft e shkurtër.
Tashmë “çarjet” e regjimit pandemik janë të shumta dhe më të shpeshta. Vende të ndryshme të Europës shprehen njëri pas tjetrit se në fazën e tretë, pandemia COVID-19 duket se po mposhtet dhe për këtë shkak po nis rikthimi në regjimet normale të lëvizjes, punësimit dhe jetesës. Në rajonet bregdetare të të gjitha kontinenteve, por sidomos në Mesdhe, kjo “çarje e regjimit” pandemik është natyrshëm shumë e dëshirueshme dhe e shumëpritur, por edhe një provë e dimensionit real të kapërcimit të kufizimeve ndërshtetërore për lëvizjen dhe shkëmbimet në kuptimin më shumëplanësh, të fjalës (si për shembull nisja e lëvizjes në porte).
Pashmangshmërisht, ajo është e lidhur me normalizimin e ekonomisë në përgjithësi, por sidomos me riaktivizimin e sektorit më jetik të ekonomive kombëtare të shteteve të rajonit si Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Italia, Greqia, etj. Treguesit makro të ekonomive të këtyre vendeve për turizmin evidentohen statistikisht në kuota të larta dhe themelore për buxhetet vjetore, për GDP-të kombëtare dhe të ardhurat e planifikuara në nivel kombëtar dhe rajonal.
Duhet thënë se periudha mbi një vjeçare e zgjatjes së pandemisë COVID-19 shkaktoi pasoja të rënda mbi këto ekonomitë e këtyre vendeve. Sektorët më të prekur ishin ai i transporteve dhe ai i turizmit. Pasojat shkaktuan goditje zinxhir dhe efekte të rënda në shumë aspekte të ekonomisë dhe të jetës sociale. Duhet përmendur se pre e kësaj goditjeje u bënë shtresa të larmishme dhe kategori të gjera qytetarësh. Efekti i goditjes mbi shëndetin mendor të popullsive mbetet i pallogaritshëm, por pasojat janë të shumëshfaqshme. Rikthimi i qarkullimit dhe lëvizjes së lirë turistike në botë dhe sidomos në rajonin tonë është një nevojë dhe pritshmëri e lartë.
Në këtë periudhë, sidomos në pranverë të vitit 2021, marrëdhëniet e Pekinit me BE-në dhe rajonin tonë kanë ndjekur një qasje me zhdërvjelltësi komunikimesh dhe shkëmbimesh. Nevoja për vaksinim, edhe pse u përball me stepje dhe droje diplomatike, imponoi ndryshim qëndrimesh dhe, për rrjedhojë, edhe aksione tërheqjesh dhe shpërndarjesh të kontigjenteve të vaksinave kineze. Shoku i virusit u sfumua me vonesë nga vendet kryesore të BE-së, fatkeqësisht edhe prej shteteve lidere të bashkësisë si Gjermania apo Franca.
Në vitin 2019, ndërsa në marrëdhënien SHBA-Kinë kulmonte një kurs problematik, ku parësia amerikane në raport me BE-në nuk mund të cënohej, u vunë re zhvillime vetëvendimesh nga shtetet më të rëndësishme europiane. BE-ja e përkufizoi Kinën njëkohësisht si partner të mundshëm, garues, por dhe rival sistemik në
Kjo rritje e investimeve kineze në infrastrukturë po shoqërohet, dhe pritet të shoqërohet në vijim, me një rritje të turistëve kinezë në rajon. Aktualisht, po vërehet një tendencë nga vendet e rajonit për të tërhequr turistët kinezë me oferta të volitshme për të konkurruar vendet e BE.
Tabutë gjeopolitike po pësojnë qartazi lëkundje të forta dhe kjo pasqyrohet sidomos në faktin se Kina ka marrë një rol të rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës në rajon dhe turizmit përherë e më në rritje. Situata dhe pasojat e shkaktuara nga pandemia COVID-19, në njëfarë mënyre, i kanë amplifikuar këto marrëdhënie shumë ndjeshëm në nivel kontinental. Ky përkufizim është edhe më i dukshëm në rastin e Ballkanit Perëndimor, ku droja ekziston se Kina mund të shikohet si një faktor alternativ ndaj Bashkimit Europian.
Ndërkohë që BE ka vazhduar me retorikën e saj për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor duke vënë kushte, Kina ka pasur një qasje krejtësisht ndryshe. Kina është treguar fleksibël në gatishmërinë për të kontribuar me investime në fusha specifike të ekonomisë. Vitet e fundit një vëmendje të veҫantë Kina i ka kushtuar infrastrukturës. Pavarësisht se aktivitetet e Kinës në rajon janë të larmishme dhe nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë ndërmjet shteteve, qasja është e përafërt.
Kina ka ofruar hua në shuma të mëdha për rregullimin e infrastrukturës, ku rastet më prominente janë ato të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, si dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërkohë që marrëdhëniet ekonomike me Serbinë janë në mënyrë të veҫantë përherë e më të forta.