Në Shqipëri po organizohet simpoziumi shkencor me temë “Mehmet Akif Ersoj dhe vepra e tij”, me rastin e 100-vjetorit të miratimit të himnit kombëtar të Turqisë, ndërkohë në simpozium referojnë studiues nga Shqipëria, Turqia, Azerbajxhani dhe vende të tjera.
Simpoziumi dyditor në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, organizohet nga Dega e Gjuhës Turke në Universitetin e Tiranës në bashkëpunim me institucione vendase dhe të huaja të cilët përfaqësohen me folës nderi dhe referues me kumtesa. Ndërkaq, mbështetes të aktivitetit janë edhe profesorët e Akademisë se Kulturës e të Folklorit të Baku, Azerbajxhan.
Prof.As.Dr, Adriatik Derjaj, Përgjegjës i Departamentit të gjuhëve sllave dhe ballkanike, gjatë fjalës së hapjes së simpoziumit tha se krenohen me veprën e Mehmet Akif Ersoj.
“Kam nderin të mbaj fjalën e hapjes në këtë takim shkencor të organizuar me rastin e 100 vjetorit të Himnit të Flamurit të Republikës së Turqisë i cili u shkrua nga dora e birit shqiptar , poetit të madh Mehmet Akif Ersoj. Në seancat e këtij simpoziumi spikasin tituj ne lidhje me Qytetërimin dhe kulturën Osmane e Turke, Poezinë e Mehmet Akifit Ersoy, Receptimi i veprës se Ersoy nder shqiptaret”, tha ai.
Derjaj tha se në ketë event kolegët shqiptarë do të kene rastin të njihen me studimet e profesorëve turq, azerbaixhas, arabë dhe të tjerë evropianë, dhe përtej Atlantikut.
Studiuesi Alban Foçi duke folur për jetën, shkollimin dhe veprën e Mehmet Akif Ersoj, tha: “Mehmet Akif Ersoj si shumë intelektualë të tjerë do t’i bashkohet luftës për mbrojtjen e territoreve turke dhe pavarësisë së shtetit turk, luftë e cila drejtohej nga Mustafa Qemal Ataturk, i cili më vonë do të themelojë dhe Republikën e Turqisë, atë që ne njohim sot”.
“Si shumë nga këto poetë dhe intelektualë, Mehmet Akif Ersoj dha kontributin e tij me atë që dinte të bënte më mirë, me fjalën. Ndihmoi që njerëzit të kishin kurajën të ngriheshin për të luftuar për mbrojtur vendin e tyre. Duheshin njerëz si Mehmet Akif Eroj të cilët me maturinë e tyre do ta ngrinin peshë popullin turk që të luftonte deri në pikën e fundit për pavarësinë e tyre”, tha Foçi. Referuesit në simpozium do të trajtojnë tematika mbi jetën, personalitetin dhe universalitetin e veprës letrare të poetit Mehmet Akif Ersoj.
Ky event, është ndër aktivitetet shkencore ndërkombëtare që organizohet duke marrë shkas nga fakti që këtë vit mbushen plot 100 vjet nga miratimi i himnit të flamurit të Republikës së Turqisë; teksti i së cilës mori jetë nga pena e poetit shqiptar me origjin nga Peja, shkrimtarit të madh Mehmet Akif Ersoj. Sipas organizatorëve, simpozimu organizohet me pjësëmarrje ndërkombëtare për nder të këtij poeti dhe universalitetit të veprës së tij.