Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Fan Noli
A ka peshore të masë fjalën tënde, mirësinë tënde që përkëdhel botën? A ka dashuri që mund të falet më shumë se jotja? A ka oqeane me bojë për të shprehur Ty?
O më madhështorja , më e bukura e grave në botë! .Ti që na dhe shpirt nga shpirti yt, na fale e humbe gjumin për ne, ti që s´ka botë dhe emër të të zëvendësojë!
Nënë! Ti nuk trembesh e nuk shqetësohesh nga fjalët e atyre që s’kuptojnë rëndësinë e fjalëve dhe veprimeve të tyre.
Se je ti, o Nënë, që kalove e u sprovove në mijëra beteja jete, në dallgë pa mbarim! Ti që jetën ke krijuar frymëzuar nga Zoti!
Kurrë o Nënë nuk mund ta zëvendësojnë emrin tënd, sa fryma e bijve që lindin nga barqet e tua të jetë.
Kurrë s’mund të të zëvendësojë vendin e piedestalit ku je në më të lartën qenie!
Ti ke bërë historinë, ti formove popuj, ti i dhe frymë çdo jete e gjallese, ti i dhe ngjyra botës…
Ti e bëre shiun të qaj e diellin të thajë brengat.
Ti, o Nënë ndalove acaret dhe kurrën e kurrës nuk mund ta përmendin emrin për keq e jo më të ta zëvendësojnë me fjalë të zakonshme nga disa të marrë.
Ti o burimi dritës dhe dijes, ty që të ngritën profetët, gjenitë.. ty që të dashuruan në pafundësinë e të fundmes ëndërr
O Zot! Si mund emrin e saj ta zhvlerësojnë me paturpësi ngjyrash të venitura?
A mundet kushdo të heqë atë që Zoti caktoi në tokë?
Se ti je gjithësia e një bote të fisshme dhe emri yt në yje shkruar do jetë, i gdhendur në gjithë bijat që ti linde!
A ka dorë më madhështore që ngrihet mbi qiejt e pluhurosur për të na përkëdhelur?
A ka zemër më të madhe se e jotja që dhe universin e bënë të duket i vogël?
A ka shpirt më të gjerë ku galaktikat lundrojnë vetmuar?
A ka puthje më të ëmbël ku pranvera dhe lulet çelin frymëzim, ku aroma e tyre emrin tënd lëshon në djepat e fëmijëve?
Përjetë emri yt Nënë qoftë e mos u tremb nga disa pika shiu që mbi ty baltë duan të lënë, por kjo baltë rrëzohet para emrit tënd o më e dëlira o më e dashura o shpirti shpirtit tim!/Nga Silvana Begaj/