Kremlini akuzoi sot Shtetet e Bashkuara për “ndërhyrje” në punët e brendshme të Rusisë, ndërsa përpiqej të minimizonte protestat në mbështetje të udhëheqësit të burgosur të opozitës Alexei Navalny.
Rreth 3,500 njerëz u arrestuan gjatë tubimeve të Shtunën në dhjetëra qytete, nga Moska në Vladivostok, sipas OVD-Info, një organizatë joqeveritare që monitoron protestat në Rusi.
Dhjetëra mijëra njerëz, duke thirrur “Navalny, ne jemi me ty”, dolën në rrugë duke kërkuar lirimin e kritikut të Kremlinit. Incidente të dhunshme dhe përplasje midis protestuesve dhe policisë kanë ndodhur në shumë raste.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peshkov, megjithatë, e minimizoi shkallën e protestave. “Pak njerëz dolën në rrugë, shumë votuan për Presidentin rus Vladimir Putin, i cili u rizgjodh me më shumë se 76% të votave në 218”, tha ai, duke shtuar se kjo ishte një përpjekje për ta “mërzitur” vendin.
Ai gjithashtu kritikoi ambasadën amerikane në Moskë, e cila përmes faqes së saj në internet u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të mos shkojnë në demonstrata, duke përmendur vendet ku ishin planifikuar tubimet e mbështetësve të Navalny. Ky fakt u interpretua nga diplomacia ruse si një përpjekje për të promovuar një “marshim kundër Kremlinit”, të cilin Peshkov e përshkroi sot si “ndërhyrje në punët tona të brendshme”. Sipas një përfaqësuesi të ambasadës amerikane, paralajmërime të tilla shpesh u drejtohen qytetarëve amerikanë në të gjitha vendet e botës. “Kjo është një praktikë rutinë,” tha ai.
Shtetet e Bashkuara dje dënuan “metodat e dhunshme kundër protestuesve dhe gazetarëve” në protestat e së Shtunës, ashtu si edhe Bashkimi Evropian. Amnesty International ka akuzuar policinë për “rrahje dhe arrestim arbitrar” të protestuesve.
Nga ana e tij, Komisioni Rus i Hetimit ka njoftuar se po fillon një hetim mbi dhunën e ushtruar kundër forcave të sigurisë gjatë demonstratave.
Zyra e prokurorit të Shën Petersburgut, megjithatë, tha se do të hetojë jo vetëm dhunën kundër oficerëve të policisë, por edhe ato të kryera nga “forcat e zbatimit të ligjit”.
Njoftimi u bë pasi media lokale publikoi një video në të cilën një grua shihet duke rënë në tokë, pasi u shkelmua nga policia. Gruaja, e quajtur Margarita Iudina, u shtrua në spital të shtunën në mbrëmje me dëmtime në kokë.