Ibrahim Rugova, një mendimtar/ Nuk shpëtoi vetëm Kosovën

NGA ÇLIRIM GJATA/Nga RUGOVA, tribun, mendimtar. Ai nuk shpëtoi vetëm Kosovën, por na shpëtoi të gjithëve!

Vlerat historike të Ibrahim RUGOVËS, si mendimtar i madh i botës shqiptare, për lirinë dhe pavarsinë e Kosovës, pjesë e zgjidhjes së çështjes shqiptare në Europën Juglindore u dëshmuan në veprimtarinë e tij shumëdimensionale gjatë gjithë jetës.Këto vlera u dëshmuan gjithashtu edhe pasi ndërroi jetë, me 21 janar 2006, me nderimin që bota demokratike, Euroatlantike dhe vetë shqiptarët i bërnë me pjesmarrjen në ceremoninë mortore, ku nuk munguan personalitet e mëdha të politikës dhe jo vetëm e deri të kulturës.

Populli i Kosovës, i panumërt, doli në rrugë për ta përcjellë Babain e Pavarsisë, pa pyetur për natyrën e acarit të skajshëm. E pra nuk i detyroi askush, si në rastet tona të këtej kufirit, vite të shkuara.

Ishte një nderim madhështor i shqiptarëve dhe i faktorit ndërkombëtarë, si për idetë humane të vulosura në veprat e tij, ashtu dhe për veprimtarinë politike për çlirimin e një pjese të kombit tonë.RUGOVA i dha një rëndësi të madhe mendimit dhe veprimit politik intelektual. Prandaj, që në fillim afroi shpirtërisht dhe ideologjikisht, elitën intelektuale të Kosovës për pavarsi nga shtypja e okupatorit dhe ideologjia sllavo-komuniste. Duke qënë thellësisht i vetëdijshëm për padrejtësitë që u ishin bërë shqiptarëve, si nga fuqitë ballkanike, ashtu dhe nga fuqitë e mëdha gjatë historisë, me coptimin e trojeve tona kombëtare, RUGOVA bëri përpjekje të jashtzakonshme, për të vetdijësuar aleatët perëndimor për këto gabime, duke arritur që mjaft prej atyre fuqive të rishikonin qëndrimin në raport me shqiptarët, duke filluar nga Kosova. E këtu, aleati kryesor, i cili e mbështeti dhe u mbështet gjatë gjithë jetës, pa u mëdyshur për asnjë moment, mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës.RUGOVA pas një studimi e analize të thellë të pozitës së kombit shqiptar të pas LDB, shënonte:“Në Kosovë, kurrë nuk ka qënë e pranishme në masë vetëdija për një ideologji komuniste”. Kjo mosprani ishte rrjedhojë historike, racionale shqiptare e Kosovës, brez mbas brezi, kundër kësaj ideologjie, e cila përfaqsonte sllavokomunizmin. Por këtu duhet shtuar edhe vetëdija e kulturës familjare shqiptare.Ai monizmit i vuri përballë pluralizmin; mohimin e palës tjetër e përballi me parimin e ruajtjes dhe rikthimit në vlerat e përbashkëta. Slloganet e partisë komuniste, a socialiste, mbështetur në ideologjinë sunduese i konsideroi me rrezikshmëri për vlerat tona kombëtare.Roli i RUGOVËS në politikë mbetet i jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës së tijë. Që nga formimi i partisë së parë antikomuniste në ish-Jugosllavi, LDK dhe organizimi i shtetit real paralel shqiptar përballë pushtuesit në Kosovë, e deri në fund të jetës së tij, pa asnjë lëkundje apo ndërprerje, ai qëndroi koherent dhe konsistent për çështjen shqiptare, liria dhe pavarsia e Kosovës.Kultura e tij e gjërë me themele të qarta kombëtare i bëri të mundur të fitonte dy veti themelore për politikanin:1.Largpamësi dhe 2.Drejtpeshim. RUGOVA, si një udhëheqës i pakontestueshëm kombëtar, çështjen e Kosovës nuk e ndau nga aspiratat e shqiptarëve.RUGOVA vlersonte se në Europë egziston një çështje e pazgjidhur, që duhet të zgjidhet patjetër, pjesë e sëcilës është çështja e Kosovës. Ai e njihte mirë shpirtin shqiptar, në sajë të studimeve të thelluara të traditës zakonore e kulturës shqiptare.Nga kjo, RUGOVA arriti një kulturë politike, që bazohet pikërisht në bindjen për vlerat e përbashkëta të popullit të tij. Kjo i ka shërbyer, si një busull në gjithë organizimin dhe drejtimin e lëvizjes së tij për liri.Kjo kulturë u jetsua edhe në themelimin e LDK-së më 23 dhjetor 1989 në Prishtinë nga një grup intelektualësh kryetar i parë i së cilës, ishte Ibrahim RUGOVA. Pikërisht kjo kulturë i shërbeu LDK-së, si ideologji themelore, kundër asaj hegjemoniste serbo-sllave. Në programin e saj në atë kohë, bënin përshtypje parimet e lirisë dhe të drejtave të njeriut; roli i individit në organizimin politik; parimi i vlerave demokratike; ai i ekuivalencës politike; si dhe parimi i fuqisë së moralit.Me këtë program, Ibrahim RUGOVA e orientoi Kosovën përfundimisht nga perëndimi, Bashkimi Europian dhe SHBA-të.Vetëm gjashtë muaj kishin kaluar, kur u hartuan dhe u shpallën disa akte me karakter politiko-juridik: Deklarata Kushtetuese e datës 02 korrik 1990, Kushtetuta e Republikës së Kosovës në shtator `90 dhe një vit më pas Referendumi gjithëpopullor për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur(26-30shtatot `91), së bashku me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës(19 tetor `91), zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë, parlamentare dhe lokale njëherësh dhe akte të tjera pasuese.RUGOVA dhe organizmat e tij shtetrore krijuan një strukturë morale, e cila dimensionin politik e bashkrendonte me atë human, pasi ndërkohë që kjo lëvizje merrte karakter madhor politik, politika e saj merrte karakter human.Kështu e sfidoi RUGOVA fuqinë e dhunës.Ai e kuptoi armikun më të tmerrshëm të tij dhe të shqiptarëve Sllobodan Millosheviç, se çfarë ishte i gatshëm të bënte. Në mitingjet e tij, Millosheviç përsëriste parullën koha nuk pret. RUGOVA e kuptoi se ku po rrokullisej Jugosllavia, se çfarë do të ndodhte shumë shpejt, ndaj dhe me largpamësinë e tij gjeniale ndërmori aktet e cituara më lart. Vërtetë koha nuk priste, ndaj dhe RUGOVA veproi shpejt. Luajti aq bukur, qetë dhe me finesë, gjë që la përshtypje në kancelaritë Europiane e botërore, jo të gjitha dashamirëse ndaj shqiptarëve, përballë mësymjes fashiste me zjarr e hekur, terror e genocid të Millosheviçit e shpurës së tijë.Ai nuk u intimidua as nga deklarimet e drejtuesve liberal të majtë të këndej kufirit se kryeqyteti i Kosovës është Beogradi, apo Millosheviçi, që bëri luftën di të bëjë dhe paqen, dhe as nga miklimet që vinin nga lart kufijve veriorë, për kompromise të rrezikshme për futjen e Kosovës në luftë. Ai zgjodhi rrugën e qëndresës paqsore dhe komunikimit për gjithshka me perëndimin. Me këtë rrugë, mbajti jashtë kasaphanës së shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosovën po e po, por edhe shqiptarët e Maqedonisë, dhe ata të Malit të Zi, madje për shkak të qëndrimit të tij edhe Shqipëria nuk mund të konsiderohej se po provokonte; dhe historia i dha të drejtë.Kur në Kosovë filloi lufta ne vitet `98-`99, ai nuk u largua si shumë të tjerë. Nuk zgjodhi të banonte në vilat qeveritare të Tiranës sa të mbaronte lufta, si disa e as të merrej me llogje e llogari politike të pas luftës në kafenetë e Rognerit, si disa të tjerë.Sepse tashmë ai e dinte. Megjithë masakrat e tmerrshme të serbëve (Prekaz, Raçak, etj. pa numrim), apo dhe genocidin e paparë ndaj shqiptarëve, makinerinë e madhe ushtarake e paraushtarake serbe, pa harruar këtu gjakun e derdhur nga luftëtarët e UÇK-së në epopenë e tyre të madhe për lirinë e Kosovës, Millosheviçi ishte i humbur. Ai kishte humbur betejën me kohën. Këtë betejë e kishte fituar RUGOVA.Dhe nuk qe e lehtë për të kjo rrugë. Sa pengesa i nxorën jo vetëm armiqtë, por edhe shqiptarët vetë këtej e andej kufirit shtetror? Pa fund. Por RUGOVA përballoi gjithshka. Ai pati një qetësi Apostolike dhe një durim Solomonian në përballimin e gjithë kësaj lufte të gjatë, ku veç të tjerash ishte edhe luftë nervash.Askush nuk e kishte pritur një qëndrim të tillë të shqiptarëve në Ballkan. E pra meritën kryesore këtu e ka RUGOVA. Ndaj dhe e meritoi “titullin” GANDI i Ballkanit nga mediat ndërkombëtare, dhe Babai i Pavarsisë nga populli i Kosovës, pavarsisht se, për këto tituj nuk ka asnjë dekret.I vetëdijshëm, RUGOVA, si metodë të sjelljes në marrdhënje me qytetarët e tijë zgjodhi besën dhe besimin. Ndaj dhe mijra qytetarë e përcollën në banesën e fundit duke qëndruar me orë të tëra në një temperaturë 21gradë nën zero, për ti dhënë lamtumirën. E ritheksoj, pa kurrfarë detyrimi. Sepse ata, pa e kuptuar, ishin kthyer në besimtarë të tij politikë.P.s. Në vitin 2001, në prag të zgjedhjeve të para parlamentare të pas luftës në Kosovë, një gazetar TV-je po pyeste njerzit në rrugët e Prishtinës, se për kë do të votonin dhe shumica shpreheshin pro LDK-së. -“Për Rugovën” u përgjigj një nënë, që po psoniste në pazar.“Pse për Rugovën”, ngulmoi gazetari? “E dona vallahi, e dona fort”, iu përgjigj zonja, me theks, sikur fjalët i dilnin nga shpirti.“E dona fort”! Sa politikanë e kanë ëndërruar këtë në histori dhe sa pak e kanë arritur?!Shqiptarët e deshtën RUGOVËN, sepse edhe ai i deshti pa asnjë interes.

Vinkmag ad

Read Previous

Rrugë që i merr lumi para se të mbarojnë

Read Next

Protestat në Rusi/ Moska akuzon SHBA-të: Po hyn në punët e brendshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular