Search
Close this search box.

Rama: Unë jam tradhtari që fola në mes të Beogradit që Serbia të njohë Kosovën, por juve ‘nuk iu han luli’

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave të shumta të qytetarëve shqiptarë këtej dhe matanë kufirit se me sjelljen e tij karshi Kosovës dhe me raportet që ka me Serbinë, po kthehet në një tradhtar ndaj hapësirës shqiptare në Ballkan. Kritikat e tilla Rama i ka marrë teksa përdori për propagandë dy kampionet e xhudos në Kosovë, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, të cilat erdhën me medalje ari nga ‘Tokio 2020’ ndërsa Shqipëria nuk arriti të fitonte asnjë të tillë. Ai është referuar edhe takimit që zhvilloi me presidentin serb Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në forumin e fundit, ku u rikrijua ‘Ballkani i Hapur’ në kuadrin e minishengenit ballkanik, ndërsa Kosova u la jashtë këtij procesi. Sipas Ramës, paqja nuk arrihet më me luftë, dhe se Kosova e fitoi lirinë me luftë vetëm prej aleancës së SHBA. Madje sipas tij, ‘Ballkani i Hapur’ mund të bëjë që Serbia të njohë Kosovën. Sjellja e politikanëve që ai i quan kinse patriotë, po acarojnë çdo ditë e më shumë nervat e liderëve të mëdhenj botërorë. Ndërsa shton se nuk është ai tradhtari, por ishte ai që në mes të Beogradit foli për njohjen e Kosovës nga Serbia. Për të e ardhmja është Ballkani i Hapur.

Shënimi i plotë i Ramës

Dje pata kënaqësinë e posaçme të kem për vizitë dy vajzat e arta kosovare të Tokios, së bashku me trainerin e tyre fenomenal. Kërkuan të më takonin dhe u ndjeva shumë i nderuar. Biseda me vajzat e me trainerin dhe miqtë që i shoqëronin, ishte frymëzuese dhe me disa ide të bukura bashkëpunimi, që dakorduam t’i zhvillojmë së bashku. Kur kërkuan të dilnim edhe në fotografi, u thashë “Po unë jam tradhtar, s’dua t’ju hap telashe!”. Qeshën shumë në fakt dhe i bëmë fotografitë, që kishin dëshirë edhe t’i postoja në faqen time.

Mirëpo, siç e prisja, ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit, që të sharat e mallkimet i kanë armët e tyre të luftës qorre të shqiptarit me shqiptarin dhe që s’po dinë hiç çka t’i bëjnë gomarit e po i bien samarit, u lëshua uturishëm në lumin e komenteve të postimit tim. Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë, është më e mira që duhet thënë në këto raste. Dhe falur i kam, ata e kë ata i frymëzon e i ushqen me helmin verbues të urrejtjes, dasisë, frikës nga e ardhmja. Por dy fjalë shkurt s’po i le pa thënë me këtë rast.

Koha nuk ndalet dhe paqja nuk fitohet me mjetet e luftës. Kosova e fitoi luftën falë aleancës së pathyeshme të Shteteve të Bashkuara me fuqitë më të mëdha europiane, në mbështetje të ushtrisë së saj çlirimtare. Pa atë aleancë as liria, as shtetësia, as paqja për popullin e Kosovës nuk do të kishte ardhur dot sot e gjithë ditën.

Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke “i treguar babait arat”, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Europian?

E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike.

A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve tanë të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)?

E bëj këtë pyetje, sepse prej 8 vjetësh tanimë e dëshmoj në vetë të parë, trajektoren gjithnjë e më në rënie të respektit e të durimit të tyre me Prishtinën zyrtare dhe më dhembin gjithnjë e më shumë shtrembërimet e buzëve të tyre, kur flitet për Kosovën.

A mundet të zgjidhet çështja e madhe e njohjes së Kosovës nga Serbia, duke e thelluar më tutje deformimin e madh disavjeçar tashmë në Kosovë, të bërjes së politikës së brendshme të Prishtinës politikë të jashtme të Kosovës dhe anasjelltas, si edhe duke e futur në shabllonin idiotesk të tradhtisë dhe vetë politikën e re rajonale të Tiranës zyrtare?

E bëj këtë pyetje këtu, për t’iu thënë të gjithë atyre në Kosovë që e kanë gjetur tradhtarin tek unë, se së pari, unë jam po ai që në mes të Beogradit fola me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht.

Së dyti, Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb evropian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot, ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan.

Dhe së fundi, kush në Kosovë mendon se duke më sharë e mallkuar mua e bën Kosovën më të fortë në luftën diplomatike për njohjen nga Serbia, pushka top le t’i bëhet, e ka të gjithë bekimin tim të nxjerrë krejt gjuhën jashtë. Por ama askush në Kosovë a në Shqipëri qoftë, të mos presë assesi që unë dhe shumica e re qeverisëse e Shqipërisë, të heqim dorë nga lufta diplomatike për paqe e prosperitet ekonomik e social në Ballkanin e Hapur – përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia. E cila bëhet me mend, krah për krah me aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Shqipërisë e të Kosovës, e jo me “lulin” e kinse patriotizmit digjital.

Koha do të flasë më shumë e më mirë

Vinkmag ad

Read Previous

Tenton të arratiset nga burgu 313, Arbër Çekaj/ Njeriu i 613 kg kokainë të kapur në portin e Durrësit

Read Next

Beograd 2014/Dje Rama kërkonte njohjen e Kosovës nga Serbia, sot rri krah për krah me Vuçiçin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular