Ish-kryeministri Sali Berisha është i bindur se pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për ta shpallur ”non grata” atë dhe familjen e tij qëndron kryeministri Edi Rama, dhe George Soros.
Berisha shprehet se mediat e sponsorizuara nga Soros dhe lidhjet e bëra nga Rama, ndikuan në marrjen e këtij vendimi. Ai e ftoi sërish Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken që të paraqesë çdo fakt apo dokument që mund të ketë për të.
Sali Berisha: Çfarë doli, burimet ishin OJF-të lokale e rajonale, të gjitha të Sorosit kundër Berishës. Ishin mediat e sponsorizuara ndaj Soros dhe ishte Rama direkt me hetimi qeveritar anti-korrupsion. E ftoj Sekretarin Blinken të publikojë çdo gjë pa asnjë lloj hezitimi. Pa asnjë diskutim që ka imunitet për shkak të funksioneve, por ka një ligj universal për imunitar. Shpifja përjashtohet në të gjithë botën nga imuniteti. Shpifja paditet kudo që ajo shfaqet”.
Lajmi për shpalljen ”non grata”, të Sali Berishës u dha nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken më 19 maj. Ai njoftoi zyrtarisht se Berisha ka minuar demokracinë, dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit, është përfshirë në afera korruptive.
Në faqen zyrtare, DASH ka publikuar vendimin e plotë, ku thuhet se Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive për shpërdorim të fondeve publike, dhe ndërhyrje në proceset publike duke përdorur pushtetin.
Në vendimin e tij, Blinken ka përcaktuar si të papërshtatshëm edhe bashkëshorten e ish-kryeministrit Liri Berisha, djalin Shkëlzen Berisha dhe vajzën Argita Berisha Malltezi.
Ndërkohë, Berisha ka deklaruar se do të padisë sekretarin Blinken për shpifje, në Gjykatën Konveksionale të Parisit.